Dario Rexhollari: Filozofia më ndryshoi rrënjësisht

12/05/2014 00:00

Ai i ka mahnitur të gjithë. Dario Rexhollari është 18-vjeçari, që me një të kapur të penës nxori në dritë romanin e tij të parë. Nuk kishte lëvruar asgjë tjetër më herët dhe krijesa e tij e parë letrare është “Loja e fituar”.

Kozeta Zavalani, shkrimtare, vlerëson së tepërmi punën e tij për këtë roman.

“Romani edhe për mua ka qenë një befasi, veçanërisht për kohën e shkurtër, në të cilën e ka shkruar”, tha Kozeta Zavalani.

Nuk është as romancë dhe as persiatje e moshës dhe problemeve që lindin prej saj. Përkundrazi, në këtë roman, Dario ka kapërcyer vitet e tij për të realizuar një vepër letraro-filozofike.

“Nuk janë shabllone, apo gjëra skematike të marra ngado dhe të futura, më pas, në një mozaik artificial. Janë gjëra e mendime origjinale të krijuara nga vet ai, apo një perceptim i jetës nga vet Dario”, është shprehur politologu Ermal Hasimja.

Ky libër ka marrë vlerësime të shumta në promovimin e tij. Dhe, notat më të larta për veprën, Darios ia kanë vënë shkrimtarë të afirmuar. Leonard Veizi e konsideron kështu.

“Në potencialin e tij unë do të vlerësoja prozatorin, sepse ndodh rëndom që në moshën 18-19-vjeçare të gjejmë poetë apo poete. Këta gjenden pa problem, ndërsa prozatorët rrallë gjenden, ndaj dhe Dario hyn në këto raste”, tha Leonard Veizi.

“Loja e fituar” i ka befasuar të gjithë!

“Madje, kur e lexon befasohesh për moshën që ka ai. Thua vërtet e ka shkruar Dario këtë libër? Është një djalë i talentuar”, shtoi më tej zonja Zavalani.

“Loja e fituar” është një rrëfim prozatik, që – së pari – Dario e nis nga vetja, dhe e përfundon duke i dhënë përmasa universale. Ajo është një vepër shumë e ndjerë, ku çdo lexues dëshifron veten dhe ku mesazhi është një për të gjithë.

“Një sprovë e parë është një sprovë shumë e rëndësishme për autorin. E mora edhe vet me seriozitet për ta lexuar dhe mendoj se, në fund, duhet t’i them Darios se ai e ka fituar lojën e tij”, u shpreh zoti Veizi.

Top Channel