Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov mori zyrtarisht të hënën mandatin e dytë pesëvjeçar në krye të shtetit. Në ceremoninë e inaugurimit, që u mbajt në Kuvend, nuk morën pjesë deputetët e partisë opozitare maqedonase, LSDM dhe ata të BDI-së.

Para deputetëve dhe diplomatëve të huaj që ishin të pranishëm në seancën e inaugurimit, Ivanov tha se, ata që e bojkotojnë institucionin e Presidentit, në fakt bojkotojnë qytetarët që kanë votuar. Kurse nismën e BDI-së për president konsensual e quajti anti-kushtetuese.

“Një pjesë e udhëheqjes së një subjekti politik, para dhe gjatë zgjedhjeve presidenciale, insistonte për njëfarë presidenti konsensual në Republikën e Maqedonisë. Kjo kategori nuk ekziston në Kushtetutë dhe as që theksohet në Marrëveshjen e Ohrit. Betimi solemn i dhënë sot më detyron qartë të kundërshtoj idetë dhe konceptet që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë”, deklaroi Ivanov.

Pas përfundimit të ceremonisë, deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi tha se, Ivanov, edhe pse u zgjodh në një proces legal, është ilegjitim për shqiptarët pasi ata në masë të madhe bojkotuan zgjedhjet presidenciale.

“Mbi 90% të shqiptarëve i thanë ‘jo’ presidentit të njëanshëm dhe ne do të respektojmë vullnetin e tyre. Pra, problemi i legjitimitetit të Ivanov nuk është problemi ynë, por i të gjithë atyre që besojnë se mund ta ushtrojnë autoritetin politik mbi 90% të shqiptarëve të cilët i thanë jo presidentit të njëanshëm”, deklaroi Xhaferi.

Ndryshe nga kolegët e tyre të BDI-së, deputetët e PDSH-së, që ishin prezent në seancën e inagurimit të Ivanov, thanë se ai është legjitim pasi për të kanë votuar shumica e qytetarëve të Maqedonisë.

“Morëm pjesë në inaugurimin e Ivanov sepse ky është qëndrim parimor i joni për këto zgjedhje. Kemi qenë kundër bojkotit dhe nuk kemi bërë shantazhe, kërcënime dhe terror mbi votuesit që të mos dilnin në votime. Ne i kemi lënë qytetarët të lirë të vendosnin vetë për cilin kandidat për president që donin”, deklaroi deputeti Bekim Fazliu.

Gjorgje Ivanov fitoi mandatin e tij të dytë në zgjedhjet presidenciale të 27 prillit, ku mori mbi 150 mijë vota më shumë se rivali i tij nga radhët e partisë opozitare të LSDM-së, Stevo Pendarovski.

Top Channel