Projekti gjigant hekurudhor kinez

13/05/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara janë konsumatorët më të mëdhenj, Kina prodhuesja më e madhe. Mes dy vendeve prej vitesh shkëmbimet tregtare dhe njerëzore janë rritur dhe përmirësuar, por sërish Pekini është i pakënaqur.

Për këtë arsye autoritetet kineze po shqyrtojnë seriozisht ndërtimin e një rrjeti hekurudhor super gjigant që do të lidhte Kinën me Shtetet e Bashkuara në një udhëtim që do të zgjaste dicka më pak se 2 ditë.

Projekti parashikon nisjen nga Kina, kalimin në një pjesë të Siberisë, më pas nëpërmjet një tuneli nëndetar rreth 180 kilometra të gjatë do të kalonte Ngushticën e Beringut për të dalë në sipërfaqe në Alaskë. Nga shteti i akullt amerikan do të vazhdonte për në Kanada dhe nga Kanadaja drejt Shteteve të Bashkuara.

“China Daily” shkruan se projekti shihet me përparësi në Kinë dhe një mundësi për t’i dhënë një tjetër hov shkëmbimeve tregtare dhe atyre njerëzore jo vetëm mes dy vendeve, por gjithë rajonit të Paqësorit.

Por përvec dëshirës së palës kineze që ka shprehur gatishmërinë për të investuar miliarda dollarë në këtë superprojekt, duhet marrë edhe miratimi i Rusisë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, vende që nuk janë shprehur ende për projektin.

Vitet e fundit Kina ka përfituar përvojë të jashtëzakonshme në ndërtimin e hekurudhave dhe në një kohë rekord ka modernizuar thuajse gjithë rrjetin e saj, pjesë e të cilës është edhe linja më e dytë me gjatë hekurudhore në botë, ajo që lidh Pekinin me provincën Guangzhou, e cila nga 24 orë udhëtim me rrjetin e mëparshëm, tashmë është reduktuar në më pak se tetë orë.

Në rast realizimi, linja hekurudhore që do të lidhë Kinën me SHBA do të jetë më e gjata në botë, duke lënë pas linjën Trans-Siberiane në Rusi.

Top Channel