Sfera gjigante në Rrugën e Kombit

13/05/2014 00:00

Gjatë ndërtimit të Rrugës së Kombit, punëtorët e firmës që po bënin punimet vunë re diçka të pazakontë.

Duke gërmuar për të hapur një pjesë të rrugës në fshatin Geziqi të Mirditës, ata gjetën në thellësinë 2 metra, një sferë të mistershme me përmasa gjidante. Sapo doli në sipërfaqe, sfera u trajtua si një objekt i çuditshëm e mistik.

Për studime të mëtejshme, masa misterioze u soll në Tiranë, me qëllim bërjen e analizave dhe përcaktimin se çfarë ishte, dhe nga se ishte formuar. Objekti ka një rrumbullakësi gati-gati perfekte.

Specialistët e konsiderojnë të rallë dhe ende e pashpjegueshme, për vendin e gjetjes dhe prejardhjen. Perimetri i saj është përafërsisht 4 metra dhe, sipas llogaritjeve të gjeologëve, ka një diametër prej 125-130 cm, ndërsa nga matja hipotetike e materialit llogaritet të ketë një peshë të përafërt me 2-3 ton.

Nuk mund të thuhet ndonjë gjë e sigurt mbi mënyrën e krijimit, megjithëse mbështetet kryesisht origjina natyrale, por këtu nuk përjashtohet dhe përmirësimi i formës së saj nga ndërhyrja njerëzore.

Deri më tani, mbi të është punuar vetëm mbi hipoteza, pasi analizat konkrete kanë qenë të pamjaftueshme për të arritur në një përfundim të saktë. Hamendësimet e gjeologëve të tjerë janë të ndryshme.

Sipas tyre, mund të jetë llavë jashtëtokësore e formuar 160 deri 145 milionë vjet më parë, variant që mbështetet më shumë. Shqipëria nuk është i vetmi vend, ku është zbuluar një sferë e tillë. Raste të ngjashme janë kostatuar në Kosta Rika dhe në Bosnje-Hercegovinë.

Top Channel