Shkëmbehen embrionet, prindërit biologjikë: “Ata janë fëmijët tanë”

14/05/2014 00:00

Gjatë një fekondimi artificial, për shkak të ngjashmërisë së mbiemrave, gabimisht ka ndodhur shkëmbimi i embrioneve dhe një grua tjetër ka mbetur shtatzënë me 2 binjakë.

Prindërit  biologjikë që dëshirojnë të mbesin anonim, në një intervistë për “La Repubblica”, nuk arrijnë ta pranojnë se fëmijët e tyre po rriten në trupin e një gruaje tjetër. Bashkëshorti tregon se kur mori vesh që embrioni ishte fekonduar tek një grua tjetër u ndje shumë keq.  

Prindërit jobiologjikë e kanë marrë vesh për këtë shkëmbim, por kanë thënë se duan t’i mbajnë fëmijët: “Ata janë fëmijët tanë dhe nëse do na duhet, do të shkojmë në gjykatë”.

Prindërit biologjikë shprehen: “Nuk është momenti për polemika. Nuk e dimë akoma se për çfarë jemi duke folur.  Ne nuk dimë se ku jetojnë apo me çfarë merren, por ne duam që t’i takojmë nëse ata janë të gatshëm. Duam të flasim që të mund të zgjidhim këtë situatë të pakëndshme”.  

Kjo histori ka nisur më 6 dhjetor dhe ndoshta çiftet do t’i drejtohen gjykatës për të zgjidhur këtë çështje shumë delikate.

“Të vetmen gjë që duam është të mbrojmë fëmijët tanë, janë të drejtat e tyre. Po jetojmë një ferr. Nuk mund ta përballojmë dhe nuk duam që fëmijët tanë të jenë viktima për gabimet e dikujt tjetër”, shprehen prindërit biologjikë.

Top Channel