Rënia e konsumit nga pijedashësit francezë i katapulton për të parën herë Shtetet e Bashkuara si tregun kryesor të verës në botë.

Edhe pse Franca është konsideruar rëndom shtëpi e natyrshme e kësaj pijeje, amerikanët duket se kanë filluar ta shijojnë më tepër se zakonisht.

Në 2013-n, ata llogaritet të kenë blerë 29.1 milionë hektolitra verë, 0.2% më shumë se një vit përpara, ndërsa konsumi francez ra me gati 7%.

Anthony Riboli, prodhues vere në Los Angeles, flet për një ndryshim në rang kombëtar të qasjes së amerikanëve ndaj verës.

“Në të kaluarën vera ishte mjaft e shtrenjtë, ndërsa tani njerëzit thonë: hej, mund të marr një shishe të mirë me më pak se 20 dollarë? Ose, do ta shtyj darkën me një gotë verë! Këto janë tendenca ndryshimi në këtë industri dhe besoj se do të qëndrojnë të tilla për një kohe të gjatë. Njerëzit po e shohin gjithmonë e më shumë verën si një pije kombëtare”, thotë Riboli.

Përsa i takon konsumit për kokë megjithatë, amerikanët janë ende prapa. Një francez i shtresës së mesme vazhdon të marrë minimalisht 1 shishe verë në javë, 6 herë më shumë se amerikani i të njëjtit nivel.

Top Channel