Shqiptarja që drejton bibliotekën “Pestalozzi”

14/05/2014 00:00

Ajo drejton një prej bibliotekave më të njohura në Zyrih të Zvicrës, edhe pse kombësia e saj nuk është zvicerane.

Ka një moshë relativisht të re, por përkushtimi dhe aftësitë, që spikasin dukshëm te Suela Jorgaqi, kanë bërë që, prej dy vitesh, asaj t’i besohet menaxhimi dhe drejtimi i bibliotekës “Pestalozzi”.

Vajza nga Tirana është personi që, pesë vite më parë, aplikoi për një vend pune në “Pestalozzi” dhe vetëm tri vite më vonë mori në dorë menaxhimin dhe drejtimin e bibliotekës, ku gjenden afro 2 mijë tituj librash në gjuhën shqipe, si dhe filma, muzikë, revista e gazeta të gjuhës së saj amtare.

E ikur nga Tirana më shumë se një dekadë më parë, e integruar tërësisht në jetesën vendase dhe me një bashkëshort zviceran, Suela është e para e huaj, që mban një pozicion drejtues në bibliotekën e njohur.

Por, Suela nuk mjaftohet me kaq. Ajo është shumë aktive dhe në shoqatat e shqiptarëve të Zvicrës dhe në çdo aktivitet ku flitet për librat dhe artin.

Top Channel