Partia Demokratike Shqiptare nuk i beson premtimeve të Bashkimit Demokratik për Integrim, për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Partia e Thaçit i cilëson gënjeshtra, deklarimet e përfaqësuesve të BDI-së për zhbllokimin e procesit integrues, në gjashtë muajt e parë të qeverisjes me VMRO-DPMNE-në e Nikola Gruevskit.

“Edhe pse jemi plotësisht të sigurt, se jeni duke gënjyer rëndë që për 6 muaj Maqedonia do të jetë anëtare e NATO-s, themi publikisht se po ta bëni këtë, edhe ne si PDSH do iu përkrahim pas asnjë kusht. Por, nëse nuk arrini ta realizoni këtë premtim, ju përfundimisht duhet të largoheni nga skena politike dhe të shkoni në shtëpitë tuaja”, tha Ymer Aliu, deputet i PDSH-së.

Përveç kërkesës për anëtarësimin e vendit në strukturat euro-atlantike, deputeti i PDSH-së  Ymer Aliu tha se shqiptarët e Maqedonisë kanë edhe kërkesa kombëtare, që u mohohen nga shteti. Aliu akuzoi BDI-në se është duke punuar kundër çështjes kombëtare.

“Sa për ilustrim, si e sqaroni faktin që Bullgaria është anëtare e NATO-s, mirëpo 1,5 milionë turq nuk kanë asnjë të drejtë kombëtare. Ky shembull flet që ju jeni pajtuar dhe e keni për mision politik, që shqiptarët të mos jenë as shtet-formues dhe as pakicë, por të jenë në kuadër të kategorisë “të tjerët” në Maqedoni”, më tej Ymer Aliu.

Ndaj këtyre akuzave, i menjëhershëm ka qenë reagimi i BDI-së. Në deklaratën me shkrim të kësaj partie thuhet se, me akuzat e këtilla të PDSH-së, kuptohet që kjo parti ka kaluar në grupin e atyre që kërkojnë t’ua mbushin mendjen qytetarëve, se integrimi në BE dhe në NATO nuk janë zgjidhje për problemet që ka shteti.

Sipas BDI-së, kjo është hera e parë, që një parti shqiptare guxon të hedhi dyshime mbi përfitimet që sjell integrimi dhe të tentojë të lëkundë orientimin euroatlantik të shqiptarëve.

Top Channel