Pas 29 muajsh negociata për tendera ndërkombëtarë, Greqia ka nënshkruar 3 marrëveshje koncesionare për kërkimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në territorin e saj, për herë të parë pas disa dekadash, në zonat përreth qytetit të Janinës, në qytetin e Patrës dhe në Katakolo, në perëndim të gadishullit të Peloponezit.

Marrëveshjet që janë nënshkruar nga ministrat e Energjisë dhe Mjedisit të Greqisë dhe Britanisë së Madhe, si dhe ambasadorit kanadez, u hapin rrugën investimeve me vlerë 700 milionë euro, duke bërë të mundur nxjerrjen, përpunimin dhe prodhimin e mbi 300 milionë fuçive naftë, me një vlerë mbi 20 miliardë euro.

Konsorciumi “Energean Oil and Gas” do të fillojë kërkimet në zonën e Janinës, ku vlerësohet se do të ketë një prodhim prej 50-100 milionë fuçi nafte, vlerësime të bëra këto nga kjo kompani, e cila iu referohet shifrave të gjetura në Shqipëri dhe Itali kompania “Shell” për gjetjen e të paktën 200 milionë fuçive, duke përdorur të njëjtin sistem gjeologjik analog.

I njëjti konsorcium do të bashkëpunojë me “Trajan Oil & Gas” për zonën e Katakolos, ndërsa për zonën e Patras, ku rezervat vlerësohen në 200 milionë fuçi, punimet do t’i marrë përsipër konsorciumi “Hellenic Petroleum”.

I pranishëm në ceremoni ka qenë edhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Evangelos Venizelos, i cili ka theksuar se përkufizimi dhe shfrytëzimi i shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive me të gjitha vendet fqinje, në bazë të parashikimeve të Konventës Ndërkombëtare për të drejtën e detit, është një prej prioriteteve të qeverisë greke.

Këto marrëveshje do të pasohen nga shpallja e 3 tenderave të tjerë ndërkombëtarë, për sa i përket zonave të Detit Jon në kufi me Shqipërinë dhe zonën detare në jug të Kretës, në të cilat rezervat e naftës dhe gazit janë shumë më të mëdha.

Top Channel