Melburni do ndalojë pirjen e duhanit në publik, në 2016-n

15/05/2014 00:00

Kryebashkiaku i Melburnit, Robert Doyle, ka njoftuar nismën e tij “smoke free”, që ka marrë për metropolin australian.

Melburni do të bëhet qyteti i parë në botë, ku do të ndalohet tërësisht pirja e duhanit në publik. Nëpër parqe, rrugë, plazhe, lokale dhe në të gjitha ambientet e tjera publike, do ndalohet konsumi i duhanit dhe, kush shkel këtë ligj, do të dënohet me gjobë.

Ky vendim ka krijuar shumë polemika nga konsumatorët e duhanit, si dhe pronarët e bizneseve.

Melburni është qyteti i dytë më i madh australian, me 4 milionë banorë, pas Sidney-t dhe do të bëhet metropoli i parë në botë, që do ndërmarrë nismën “Smoke free”. Kjo nismë përfshin dhe restorantet, ose kantieret e ndërtimit, ku do të krijohen vende të posaçme për duhanpirësit.

Kjo nismë ka filluar të testohet përpara se të miratohet ligji. Ka shumë skepticizëm, nëse kjo reformë do të jetë tërësisht e zbatueshme. Disa thonë se “si do të jetë e mundur që të zbatohet, duhet të kemi një polici speciale kundra duhanit, që të dënojë ata që shkelin ligjin”.

Top Channel