Autoritetet e Shkupit më në fund janë interesuar për rastin e familjes shqiptare Zeqiri, e cila vetëm në 30 ditët e fundit është sulmuar dy herë nga disa grupe huliganësh.

Të enjten kreu i komunës Butel në Shkup, Petre Latinovski, bashkë me përfaqësues të policisë kanë realizuar një takim me kryefamiljarin Faik Zeqiri, të cilit i kanë thënë se po marrin të gjitha masat për t’i garantuar sigurinë e plotë kësaj familjeje.

“Morëm vendimin që t’i bëjmë apel organeve të rendit që të marrin më tepër masa për t’i garantuar sigurinë familjes dhe për të zbardhur sulmet. Qëllimi ynë është që sa më parë të zbardhet e vërteta. Edhe unë jetoj në lagjen e Radishanit në Komunën e Butelit, për të cilën them se është komunë multietnike, ku të gjithë së bashku pa dallim etnie dhe feje duhet të ndërtojmë ardhmërinë”, ka deklaruar Latinovski.

Megjithatë, kryefamiljari Zeqiri vlerëson se gatishmëria e autoriteteve komunale dhe përfaqësuesve të policisë për t’i garantuar siguri familjes së tij është vetëm deklarative. Ai nuk ndihet i sigurt pasi thotë se, të gjithë huliganët që sulmuan shtatë herë familjen e tij ende janë të lirë.

“Kryetari i komunës kërkoi më tepër polici pranë shtëpive tona, por kjo nuk do të thotë se policia do të në ruajë në çdo çast. Nuk ndihemi të sigurt. Ai që na sulmoi me makinë është dënuar me 6 muaj burg dhe është lënë i lirë. S’ka qetësi aty, s’ka as siguri. Fëmijët nuk mund të qëndrojnë aty. Në shkollë nuk kanë qenë prej 10 ditësh dhe duhet të largohemi, sepse nuk kemi ardhmëri, sepse aty nuk mund të jetohet”, ka thënë zoti Zeqiri.

Një pjesë e anëtarëve të familjes Zeqiri nga lagja Radishan e Shkupit, u larguan nga shtëpitë e tyre pas rastit të 13 prillit, kur u sulmuan nga huliganët maqedonas.

Pjesëtarët e tjerë që ende nuk janë larguar kanë përjetuar një rast tjetër të rëndë katër ditë më parë, kur në njërën nga shtëpitë e kësaj familjeje shqiptare u hodh një bombë dore, e cila shkaktoi dëme të mëdha materiale.

Për ditën e premte është paralajmëruar një protestë në Shkup, në shenjë revolte ndaj dhunës që me vite ushtrohet mbi familjen Zeqiri.

Top Channel