Shpërthim në kufirin turko-sirian, 29 viktima

15/05/2014 00:00

Të paktën 29 persona janë vrarë në një atentat me autobombë në afërsi të kufirit mes Sirisë dhe Turqisë, deklarojnë aktivistët lokalë.

Një makinë e mbushur me eksploziv u hodh në erë në lokalitetin Karaj Sajou, në provincën veriore të Alepos.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, me bazë në Londër, raportoi se pesë gra dhe tre fëmijë janë mes viktimave.

Ndërsa një video e publikuar online ka treguar tymin që ngrihej nga automjetet e përfshira nga flakët, trupat e pajetë të shtrira në tokë dhe dëme të tjera përreth.

Drejtuesi i Observatorit, Rami Abdul Rahman tha për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se shpërthimi ndodhi në një garazh të përdorur nga pasagjerët që ikin apo vijnë përmes kufirit.

Sipas tij, fillimisht nuk u kuptua qartë se se nga kishte ardhur shpërthimi. “Ju ndëshkoftë Zoti!”, u dëgjua një person të bërtiste para se makina të hidhej në erë.

Guvernatori i provincës turke Kilis tha për agjencinë shtetërore të lajmeve “Anadolu” se 48 sirianë të plagosur janë shoqëruar përtej kufirit për mjekime dhe se 11 prej tyre kanë vdekur pak më vonë.

Suleyman Tapsiz shtoi se hetimet paraprake tregojnë se i ashtuquajturi Shteti Islamik i Irakut fshihet prapa sulmit.

Zona ku ndodhi ngjarja, Bab al Salam, ndodhet nën kontrollin e rebelëve islamikë që janë angazhuar në një betejë të përgjakshme me SHII që nga janari i këtij viti. Grupi është kritikuar gjerësisht se sulmon grupe të tjera rebele dhe se abuzon me civilët.

Top Channel