Vërshimet masive të ujërave, pasojë e reshjeve të dendura të këtyre ditëve, kanë detyruar autoritetet serbe të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme në shumë rajone të vendit, ku situata paraqitet kritike.

Rreth 5.000 persona janë evakuuar, shtabet e emergjencës janë në veprim e po konsultohen vazhdimisht, ndërsa mesohet se në aksionin për shpëtimin e njerëzve të bllokuar në zonat më të prekura janë angazhuar 750 njësi, nga zjarrëfikësit, policia e ushtria.

Përmbytjet konsiderohen ndër më të mëdhatë që prej vitesh jo vetëm në Serbi por edhe në Bosnje-Hercegovinë e Kroaci. Deri tani janë regjistruar 20 të plagosur, të cilëve u është nevojitur ndihmë mjekësore, ndërsa ka raporte për disa persona të zhdukur.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në Beograd janë evakuuar rreth 150 familje. E rëndë paraqitet situata edhe në rajonin e Valevës, ku qindra vetë janë larguar nga shtëpitë dhe janë vendosur në kazerma të ushtrisë, e po kështu probleme të mëdha ka pasur edhe në  Oseçi, Lajkovc, Topollë, etj.

Shumë qytete kanë vështirësi të mëdha furnizimi me ushqime, ujë të pijshëm dhe energji elektrike. Evakuime të shumta dhe pasoja në njerëz raportohen edhe Bosnje- Hercegovinë dhe në Kroaci, por për momentin askush nuk ka dhënë shifra të sakta.

Top Channel