Rritet presioni mbi Erdogan

16/05/2014 00:00

Vdekja e gati 300 minatorëve në incidentin e rëndë të Somas dhe trajtimi i fatkeqësisë nga qeveria turke e kanë shtuar presionin politik mbi kryeministrin Rexhep Tajip Erdogan.

Pohimet e tij se fatkeqësi të tilla ndodhin kudo në botë tingëlluan si justifikim në veshët e njerëzve që vajtonin humbjen e të afërmve e nuk u priten mirë.

Në Soma, kreun e ekzekutivit e priti një turmë e egërsuar nga shpjegimet e tij për tragjedinë. Kritika ka pasur dhe në shtyp, ndërsa reagime të ashpra shkaktoi edhe fakti që këshilltari i tij, Yusuf Yerkel qëlloi me shkelma një demonstrues të shtrirë për tokë.

Personat e acaruar me Erdoganin gjatë vizitës së shumëdiskutuar i përkasin shtresës tipike të votuesve të partisë së tij AKP, punëtorë dhe artizanë të vegjël, që kanë kryesisht prirje konservative.

Në zgjedhjet lokale në fund të marsit, AKP-ja fitoi në Soma rreth 43.3 për qind të votave, pothuajse sa mesatarja kombëtare. Eksperti Mustafa Sonmez është i bindur se fatkeqësia e Manises do të ketë pasoja politike.

“Jo vetëm numri i lartë i viktimave, por edhe akuzat për moskujdes në masat e sigurisë, si dhe prezantimi në publik i Erdoganit pas aksidentit janë negative për partinë e kryeministrit. Në elektoratin e AKP-së do të ketë një reflektim”, thotë Sonmez për DW, “sepse njerëzit nuk e kanë zemrën prej guri”.

Tragjedia e minierës vjen në një moment të vështirë për Erdogan, që javën e ardhshme deklaron nëse do të kandidjë për zgjedhjet presidenciale të muajit gusht. Që nga fitorja e AKP në zgjedhjet lokale, kandidimi i kryeministrit për postin më të lartë publik konsiderohet si i sigurt.

Sipas njoftimeve të shtypit, Erdogan po heziton me shpalljen e kandidaturës së tij vetëm për shkak se dëshiron të zgjidhë më parë kush do të jetë pasuesi i tij në AKP.

Top Channel