Shqiptarët në Shkup kanë protestuar kundër dhunës ndaj familjes Zeqiri. Marshi protestues ka filluar nga sheshi “Skënderbeu” në Shkup dhe ka përfunduar në mënyrë të qetë para godinës së Qeverisë, me thirrje kundër dhunës.

Për të gjitha sulmet në vitet e fundit ndaj shqiptarëve, organizatorët e protestës akuzuan qeverinë e Nikola Gruevski-t, ndërsa një pjesë të fajit ia faturuan edhe zyrtarëve shqiptarë në qeveri.

“Jemi mbledhur t’i themi stop dhunës, sepse dhuna prodhon vetëm dhunë. Jemi mbledhur këtu për t’i treguar botës, se gjendja e shqiptarëve është shumë më e vështirë, se sa e paraqesin ‘patriotët’ tanë shqiptarë, nëpër kolltukët e pushtetit. Patriotët mashtrues, që më tepër kujdesen për postet e tyre, se sa për fatin e shqiptarëve. Ata bëjnë maksimumin për të fshehur sulmet ndaj familjes Zeqiri”, tha Idriz Sinani, organizator i protestës.

Protesta është mbështetur edhe nga kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela. Ai ka kërkuar që qytetarëve t’u mundësohet me ligj të mbajnë armë në shtëpi, për t’u vetëmbrojtur.

“Nëse institucionet janë të paafta për të ndërhyrë dhe për të siguruar jetën e qytetarëve, atëherë duhet patjetër që kjo përbërje parlamentare të sjellë ndryshime në ligjin për armëmbajtje, për t’u mundësuar të gjithë qytetarëve të Maqedonisë mbajtjen e armëve në shtëpitë e tyre. Është e drejtë morale, legjitime, njerëzore, që të mbrosh shtëpinë dhe oborrin tënd”, tha Ziadin Sela, kryetar i Komunës së Strugës.

Protesta kundër dhunës u organizua nga “Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut” dhe shoqatat studentore.

Familja Zeqiri, nga Radishani, është sulmuar dy herë brenda një muaji, nga disa grupe huliganësh. Për shkak të pasigurisë, 20 anëtarë të kësaj familjeje kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë kërkuar azil në Gjermani.

Top Channel