Më të pasurit e Britanisë sipas “Sunday Times”

18/05/2014 00:00

Njerëzit më të pasur të Britanisë janë bërë edhe më të pasur se kurrë më parë, me një pasuri të përgjithshme prej 520 miliardë paund, sipas listës së të pasurve të “Sunday Times”.

Pasuria totale e 1000 individëve më të pasur, çifteve apo familjeve, është rritur me 15% gjatë një viti, bën të ditur sondazhi.

Eksperti i pasurive, Philip Beresford, i cili hartoi listën, tha se nuk kishte parë kurrë më parë një rritje kaq “fenomenale” të të ardhurave personale.

 Vëllezërit manjatë Hinduja janë në krye të listës, me një pasuri të përbashkët prej 11,9 miliardë paund. Srichand dhe Gopichand Hinduja zbritën nga froni aksionerin e klubit të Arsenalit, Alisher Usmanov, në listën e këtij viti.

“Njerëzit më të pasur në Britani kanë pasur një vit tepër të suksesshëm. Edhe pse disa mund t’i kritikojnë, shumica e tyre janë në zemër të ekonomisë dhe suksesi i tyre sjell më shumë vende pune dhe më shumë zhvillim për vendin”, tha Beresford.

Shifra totale e pasurisë së kësaj liste është e barabartë me 1/3-tën e PBB-së së Britanisë së Madhe.

Në listën e të pasurve të këtij viti janë futur emra të rinj si krijuesi i “Grand Theft Auto”, katër krijues të “Candy Crush Saga”, bosi i “Tesco”, si dhe familja Perrodo, që merret me operacionet e naftës dhe gazit natyror.

Por nuk mungojnë emra si Mahmud Kamani, fashionist, si dhe Peter Cashmore i “Mashable”, për të mos harruar dhe David e Victoria Beckham, apo David Bowie.

Mbretëresha, e cila ka qenë gjithnjë e përfshirë në listën e më të pasurve të “Sunday Times”, që kur kryesoi atë për herë të parë në vitin 1989, tashmë renditet e 285-ta me një pasuri prej 330 milionë paund.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel