Të ndikuar, padyshim, në katër vitet e fundit nga kriza më e thellë ekonomike që ka njohur vendi, 9 milionë e 890 mijë grekë, prej orës 7 të mëngjesit kanë filluar të shkojnë drejt kutive të votimit në raundin e parë të zgjedhjeve për përfaqësuesit e pushtetit lokal.

Në përpjekje për të zgjedhur 325 kryetarë bashkie dhe këshilltarë janë 1441 formacione politike, ndërsa për guvernatorët e 13 qarqeve të vendit dhe këshilltarët e tyre, 105 formacione të tjera në të gjithë vendin.

Ajo çka presin kandidatët, qeveria dhe partitë politike në raundin e parë të këtyre zgjedhjeve, që konsiderohen si test për kabinetin Samaras, janë mesazhet dhe disa konkluzione që do të dalin, pasi janë shumë të pakta në numër ato bashki dhe qarqe, që do të kenë fitues qysh prej ditës së sotme, dhe do të duhet raundi i dytë, të dielën e ardhshme, bashkë me votën për zgjedhjet e PE.

Partia në fuqi, Demokracia e Re, kërkon të mbizotërojë në 5-7 prej 13 qarqeve të vendit, duke marrë këtë votë të grekëve si një akt mbështetjeje për politikën e saj, me masat e rrepta të kursimit dhe reformat strukturore, të cilat ishin kusht për marrjen e ndihmës nga kreditorët e huaj, dhe qëndrimin e vendit brenda eurozonës.

Në partinë më të madhe opozitare, Syriza, radikalët e majtë kërkojnë mesazhin për ndryshimin e politikës qeveritare dhe presin që kandidatët e tyre të shkojnë në raundin e dytë, në të paktën 10 qarqe, me synim kryesor mbizotërimin në atë të Atikës, ku voton një e treta e zgjedhësve.

Ndërsa socialistët e PASOK-ut kërkojnë të riforcojnë pozitat e tyre, tashmë të humbura tej mase nga zgjedhjet e mëparshme, nën kritikat e shumta jo vetëm për bashkëqeverisjen me konservatorët, por edhe për largimin e tyre nga vija politike, që kanë pasur në të kaluarën.

Në rreth 40000 kandidatë për këshillat bashkiakë dhe ato të qarqeve, marrin pjesë edhe disa dhjetra përfaqësues të minoritetit apo shtetas shqiptarë, të cilët kanë marrë nënshtetësinë greke, midis tyre edhe aktori dhe regjisori i njohur Laert Vasili, kandidat i partisë Syriza në qarkun e Atikës.

Kutitë e votimit do të mbyllen në orën 19 të mbrëmjes, ndërsa rezultatet e para priten pas mesnate.

Top Channel