Megjithëse nuk ka ende fitues në raundin e parë të zgjedhjeve për pushtetin lokal në Greqi, rezultatet paraprake tregojnë një epërsi të lehtë të kandidatëve që mbështet partia opozitare Syriza, përball atyre të konservatorëve dhe te socialisteve.

Kështu sipas exit polls -eve të regjistruara në qarkun më të madh të vendit, në Atikë, ku votojnë 30% e grekëve, përfaqësuesja e Radikalëve të Majtë, Rena Dourou, në formacionin e së cilës bënë pjesë edhe aktori dhe regjisori i njohur Laert Vasili, siguron nga 27-31% të votave ,e ndjekur nga kandidati që vjen nga radhët e socialistëve grekë, Janis Zgoyros me 20-24 %.

Ndërsa përfaqësuesi i Demokracisë së Re duket se nuk mund të jetë rival në raundin e dyte. Të njëjtën pamje japin rezultatet paraprake të publikuara nga kompanitë e sondazheve pas mbylljes së votimit  edhe për dy bashkitë më të mëdha të vendit, atë të Athinës dhe atë të Pireut.

Në Athinë përfaqësuesi i Syriza-s, me kryebashkiakun në fuqi Giorgos Kaminis, do të përballen në raundin e dytë, duke lënë edhe këtu jashtë betejës politike rivalin e Demokracisë së Re.

Ndërsa në Pire konservatorët duket se do ta humbasin bashkinë që mbanin në katër vitet e fundit. Edhe në qarkun e Maqedonisë Qendrore kryeson, përballë kandidatit të Demokracisë së Re ,rivali  tjetër i ardhur edhe ai nga gjiri i të djathtëve, ndërsa për Bashkinë e Selanikut duke se ka një epërsi të dukshme ndaj konservatorëve, por dhe radikalëve të majtë, kryebashkiaku në detyrë, Janis Butaris.

Vlen gjithashtu të përmendim se në qarkun e Atikes kandidati i Agimit të Artë ka siguruar sipas rezultateve paraprake nga 9-11% të votave, ndërsa numri dy i kësaj force politike që kandidonte për Bashkinë e Athinës, Ilias Kasidiaris ka mundur të përqendrojë nga 14 deri në 17% të votave.

Gjithësesi duket se çdo gjë do të vendoset të dielën që vjen, në raundin e dytë të këtyre zgjedhjeve, bashkë me ato për PE-në, por mesazhi kryesor që vjen i qartë për koalicionin Samaras -Venizelos, është pakënaqësia e grekëve për politikat e ashpra dhe reformat e ndjekura prej kësaj qeverie.

Top Channel