Serbia dhe Bosnja kanë kërkuar ndihmë ndërkombëtare për shkak të vërshimeve që kanë shkaktuar dëme të mëdha. Numri i viktimave në Serbi është 17 persona, ndërsa në Bosnje mbi 20.

Një viktimë është gjetur edhe në Kroaci pasi vërshimet u shtrinë edhe në këtë pjesë kur lumi Sava doli nga shtrati. Rreziku ekziston në mbrojtjen e prodhimit të energjisë.

Deri tani vetëm në Serbi janë zhvendosur mbi 25 mijë persona, ndërsa në Bosnje mbi 10 mijë. Informacionet janë të ndryshme, por rreziku më i madh tani është nga rrëshqitja e dheut që merr me vete shtëpi dhe fshatra të tëra.

Gjatë natës, në aerportin e Beogradit arritën ndihmat e para nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe shumë agjenci premtuan ndihma.

“Tani kemi sjellë ndihmat e para të kërkuara për situatën. Por, ne do të përfshihemi më vonë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në rindërtim”, tha përfaqësuesja e OKB, Irena Vojackova Solarno.
 
“Është një gjest i mirë dhe tregon se për ne në Serbi brengosen edhe njerëzit jashtë”, deklaroi Nebojsha Stefanovic, Ministër i Punëve të Brendshme.
 
Bëhet e ditur se nga Shqipëria në vendin Orashje të Bosnjës janë 15 anëtarë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kurse edhe pesë persona të specializuar për ndihmë mjekësore do t’i bashkëohen ekipit.  

Vlerësimi i dëmeve do të bëhet nga ekipet e Kombeve të Bashkuara dhe pritet që të jenë miliona euro. Ndihma kanë ardhur edhe nga shtetet arabe dhe qytetarë që kanë grumbulluar sende të ndryshme. Ekspertët thonë se vërshimet do të ndikojnë në tërë rajonin pasi bujqësia është shkatërruar.

Top Channel