Vajza preshevare, që mahnit me talentin

19/05/2014 00:00

Dafina Aliu është 12 vjeç. Shqiptarja nga Bujanoci është vlerësuar shumë nga shkolla e saj, për shkak të inteligjencës dhe muzikës, me të cilën merret.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë pak emra, që janë bërë të njohur jashtë. Por, shpesh flitet për politikë dhe pak për të ardhmen e tyre.

Dafina ka marrë pjesë në disa festivale dhe të gjithë e njohin në këtë pjesë ku jetojnë shqiptarët. Por, ajo dëshiron ta lëshojë zërin e saj edhe më larg.

“Dua të këndoj në festivale si ‘Top Fest’ dhe ‘The Voice’ dhe të përfaqësoj Luginën e Preshevës, sepse edhe këtu ka shumë talente”, është shprehur vet Dafina Aliu, nxënëse nga Bujanoci.

Nëna e saj thotë se i rri gati për aq sa janë mundësitë.

“Këndon shumë bukur, në gjuhën shqip dhe atë angleze. Dëshira ime është që ta përkrahë sa më shumë edhe Komuna”, deklaron Vaxhide Aliu, nëna e Dafinës.

Drejtori i shkollës, ku mëson Dafina, thotë se talenti i saj është vërejtur herët dhe shkolla e ka avancuar në kushtet e saj.

“Kanë marrë një qëndrim se kjo nxënëse duhet të ketë përparësi në krahasim me kolegët dhe koleget e veta dhe ajo që është realizuar është fakti se nga klasa e dytë ka kaluar në klasën e katërt”, shprehet Dr. Hefzi Aliu, drejtor i shkollës “Naim Frashëri”.

“Ajo që është për t’u brengosur, është se në këtë vend nuk ka zhvillim mediatik. Kështu që njerëzit nuk kanë se ku mund ta reklamojnë veten, të bëjnë një spot”, shton Skënder Halimi, muzikant.

Nga Lugina e Preshevës, e rrethuar me kufijtë e politikës dhe shpesh tensioneve, dikush megjithatë thotë se muzika është një gjuhë tjetër.

Top Channel