Kriza vazhdon të lëndojë Greqinë, duke detyruar qeverinë e Athinës të nxjerrë në shitje edhe “parajsën” e vendit, siç njihet ndryshe ishulli Elafonisos, 300 metra nga bregu i Peloponezit.
Lajmi i publikuar në mediat greke ka ngjallur një valë protestash.

Sipas portalit GreekReporter, ishulli është futur në listën e lokaliteteve që do të privatizohen nga Enti Helen për Vlerësimin e Pronave të Shtetit.

Sipas burimit, Enti synon të nxjerrë në shitje 175 hektarë të dy plazheve fantastike Sarakiniko dhe Simos. Banorët dhe organizata të shumta ambientaliste, vendase e të huaja, po protestojnë kundër shtijes së lokalitetit, me pretendimin se ai është nën mbrojtjen e programit evropian “Natyra 2010”, për shkak të gjallesave të shumta vegjetale që jetojnë në të.

Banorët dhe ambientalistët vlerësojnë se shfrytëzimi turistik i ishullit do të shkatërrojë ambjentin natyror. Ndërsa kryetari i bashkisë së Elafonisos, Panaiotis Psaromatis, në një letër drejtuar shefit të Entit dhe ministrit të Financave ka shprehur qëndrimin e tij kundër planeve të qeverisë.

“Do të vazhdojmë të mbrojmë me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion ambjentin tonë natyror, unik dhe të brishtë”, ka shkruar Psaromatis.

Vitin e kaluar, e përditshmja britanike “The Guardian” vendosi Elafonisos në krye të listës së 10 ishujve me plazhet më të bukura të Greqisë, ndërsa revista gjermane “Geo-Saison” e ka cilësuar atë si “parajsa në tokë”.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel