Brenda një viti në Maqedoni janë regjistruar 116 incidente ndëretnike, prej të cilëve janë zbardhur vetëm 27. Këto të dhëna i ka publikuar në raportin e fundit Komiteti i Helskinkit.

Sipas drejtuesve të zyrës së këtij institucioni në Shkup, më shumë se 80 për qind e incidenteve që shkaktohen nga urrejtja ndodhin mes maqedonasve dhe shqiptarëve.

“Institucionet heshtin, nuk ndërmarrin masa preventive dhe nuk e pranojnë se në Republikën e Maqedonisë këto të dhëna tregojnë se në vend ekziston një problem serioz mes dy komuniteteve më të mëdha. Shpreh keqardhje që pikërisht të rinjtë janë të indoktrinuar dhe të kyçur në ngjarjet e dhunshme”, ka deklaruar Uranija Pirovska.

Analistët thonë se përsëritja e vazhdueshme e incidenteve ndëretnike dhe mosreagimi adeguat i institucioneve në zbardhjen dhe parandalimin e tyre mund ta dëmtojnë rëndë sigurinë e qytetarëve dhe të shkaktojnë pasoja të rënda për vendin.

“Me paraqitjen e incidenteve dhe urrejtjes ndëretnike po krijohen dy botë paralele, sidomos mes shqiptarëve dhe maqedonasve. E mira në të keqe në këtë rast është se dalëngadalë kjo shoqëri filloi ta evidentojë krimin prej urrejtjes, sepse këto raste nuk janë vetëm incidente që vijnë, për shembull si pasojë e tifozërisë, por janë krime të motivuara nga urrejtja ndëretnike”, ka komentuar Ramadan Ramadani.

Incidentet ndëretnike sipas analistit Ramadani, nxiten nga politika që udhëhiqet nga pushteti në Shkup, i cili qytetarët shqiptarë nuk i trajton si të barabartë me maqedonasit. Sipas tij, tejkalimi i kësaj situate është i mundur vetëm nëse për një gjë të tillë është i interesuar shteti.

Top Channel