Kur puthja në faqe të “çnderon”

19/05/2014 00:00

Presidenti i Festivalit të Filmit të Kanës, Gilles Jacob, mohoi të kishte shkaktuar një reagim të ashpër në Iran, pasi puthi në faqe aktoren dhe anëtaren e jurisë së festivalit, Leila Hatami.

Jacob tha se ai “është një veprim i zakonshëm në Perëndim”, pasi media iraniane pretendonte se ajo ishte një fyerje për “dëlirësinë” e femrave në Iran. “E putha zonjën Hatami në faqe”, shkroi Jacob në llogarinë e tij në Twitter.

“Në atë moment, për mua ajo përfaqësonte të gjithë kinematografinë iraniane, e më pas ajo përfaqësonte vetveten. Polemikat, ndaj një veprimi të zakonshëm në Perëndim, nuk kanë asnjë arsye të ekzistojnë”, shtoi ai.

Por zv/ministri iranian i Kulturës, Hoseyn Nushabadi, tha se shfaqja e Hatami-t në Kanë ishte “në shkelje të besimeve fetare”. E lindur në një familje me “background” kinematografik, Hatami fitoi njohje globale për rolin e saj në filmin “Ndarja” të Asghar Farhadi, që fitoi në vitin 2012 Çmimin e Akademisë si filmi më i mirë i huaj. Ajo ende jeton në Iran me bashkëshortin e saj, aktorin Ali Mosaffa.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel