Presidenti maqedonas George Ivanov, i dorëzoi të hënën mandatin për formimin e Qeverisë së re Nikola Gruevski-t, liderit të partisë VMRO-DPMNE, e cila ka fituar më shumë mandate deputetësh në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 27 Prillit.

Sipas Kushtetutës, Gruevski ka afat 20 ditë, që t’i dorëzojë Parlamentit programin dhe të propozojë përbërjen e Qeverisë së re.

Formimi i qeverisë do të duhet të votohet nga Parlamenti, me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, jo më vonë se 16 Qershori. Për formimin e Qeverisë së re, VMRO-DPMNE-ja ka arritur marrëveshje ditë më parë për koalicion me partinë shqiptare BDI, me të cilën bashkarisht qeverisin nga viti 2008.

Këto dy parti priten që, së shpejti, të finalizojnë negociatat edhe për ndarjen e pushtetit. Bëhet e ditur se shqiptarët, në qeverinë e re të Shkupit, do të drejtojnë të njëjtat Ministri që kishin në tre vitet e kaluara, përveç Ministrisë së Mbrojtjes, e cila do të kalojë në duart e VMRO-DPMNE-së. Në vend të këtij dikasteri, BDI mund të zgjedhë mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Punës dhe Politikës Sociale.

Partia e Ali Ahmetit nuk ka arritur të marrë as postin e Kryetarit të Kuvendit, edhe pse gjatë tërë fushatës elektorale kishte premtuar se ky post do të jetë kusht, për pjesëmarrje në qeveri. BDI-ja ka njoftuar se, në 6 muajt e ardhshëm do të jetë e përqendruar vetëm në zhbllokimin e procesit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE.

Top Channel