Dyqane të shkatërruara të shqiptarëve dhe thirrje për vrasjen e tyre përmes grafiteve në rrugë, të shoqëruara me kryqe naziste.

Këto janë imazhet nga lagja “Gjorçe Petrov” e Shkupit, ku natën e kaluar banorët maqedonas, që janë shumicë, kanë dëmtuar dhe i kanë vënë flakën pronave të shqiptarëve, të revoltuar nga vrasja e një të riu maqedonas nga një bashkëmoshatar shqiptar.

Banorët maqedonas, që nuk i janë bashkangjitur një natë më parë turmës së revoltuar, e dënojnë vrasjen e të riut dhe revoltën e shprehur përmes dhunës.

“Ajo që ndodhi dje është katastrofë dhe duhet dënuar. Të gjithë ata, që bëjnë vepra të tilla, duhet të shkojnë në burg, siç ndodhte më parë dhe gjithçka ishte qetë. Tani nuk jemi të qetë as në gjumë. Autorët e këtyrë ngjarjeve duhen dënuar pa dallim kombësie, apo feje”, tha një banor i lagjes “Gjorçe Petrov”.

“Gjëra të këqija na presin. Nuk bëhet ky shtet, me këta njerëz që kemi në pushtet. Ata nuk respektojnë asnjë ligj, për ta nuk vlen asgjë. Mbrëmë, nëpër rrugë ishte kaos i vërtetë, kishte rrahje, shkatërrime, ishte gjendje e rëndë”, tha një tjetër banor.

Disa nga pronarët e dyqaneve të shkatërruar, që mëngjesin e së martës kishin filluar t’i përllogarisin dëmet, kanë paralajmëruar se do të vetorganizohen për t’i mbrojtur pronat e tyre, kurse disa të tjerë mblidhnin mallin dhe largoheshin nga kjo lagje, për shkak të pasigurisë. Të pasigurt ndjehen edhe banorët shqiptarë.

“Nuk është problem vetëm që është djegur ky lokal, ne kemi rrezik edhe në shtëpi. Nuk dimë çfarë të bëjmë, a interesohet dikush në këtë shtet? Nëse jo, të dalim t’i ruajmë vet këto prona, dhe atëherë do të jetë më mirë”, tha një banor shqiptar i lagjes shkupiane.

“Jam banor i kësaj lagjeje, do të shpërngulem prej këtu, sepse nuk kemi aspak siguri”, tha një tjetër shqiptar i lagjes “Gjorçe Petrov”.

Menjëherë pas ngjarjes tragjike, policia ka arrestuar autorin e vrasjes së 19-vjeçarit maqedonas, Angel Petkovski, i cili u godit me thikë pas një zënke banale, që ndodhi pasditen e së hënës për një biçikletë të vjedhur.

Ndërkohë, policia ka njoftuar se ka ndaluar 18 persona, që kanë marrë pjesë në dëmtimin e pronave të shqiptarëve një natë më parë.

Top Channel