Siria, në Hagë për krimet e luftës

20/05/2014 00:00

Rreth 60 shtete, të udhëhequra nga Zvicra, kanë shprehur mbështetjen për propozimin francez për të dërguar Sirinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve.

Vendet po i bëjnë apel Hagës që të hetojë krimet e mundshme të luftës dhe ato kundër njerëzimit. Ambasadori zviceran në OKB, Paul Seger bëri një apel drejtuar Këshillit të Sigurimit që të miratojë një projekt/rezolutë mbi çështjen në fjalë.

Megjithatë, një gjë e tillë ka gjasa të bllokohet nga Kina dhe Rusia. Korrespondentët e mediave të huaja deklarojnë se, nëse Pekini dhe Moska vendosin veton ndaj këtij propozimi, atëherë do të jetë hera e katërt që ata pengojnë rezolutat e Perëndimit për Sirinë, që nga rënia e krizës tre vjet më parë.

Muajin e kaluar, fotografi të të burgosurve që torturoheshin nga trupat e qeverisë siriane u shfaqën para vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pamjet, që thuhet se ishin dhënë nga një dezertor i regjimit të Damaskut, tregonin provat e abuzimeve, mes të cilave rrahje të dhunshme, mbytje dhe vuajtje nga uria.

“Kombet e Bashkuara, Këshilli i Sigurimit dhe anëtarët e tjerë duhet të jenë të bashkuar për të vepruar për drejtësi dhe llogaridhënie për viktimat e konfliktit në Siri”, shkroi ambasadori Seger në një letër.

Ndërkohë, disa diplomatë të tjerë deklaruan se, edhe pse Shtetet e Bashkuara nuk e kanë firmosur letrën, ato mbështesin propozimin francez për hetimin e krimeve.

Top Channel