Vjena: E meritoni statusin e kandidatit

20/05/2014 00:00

Presidenti austriak Heinz Fischer është pritur të martën në Presidencë nga homologu i tij Bujar Nishani. Pas takimit kokë më kokë, pa praninë e mediave, dy presidentët kanë dalë në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Zoti Fischer në fjalën e tij ka rikonfirmuar mbështetjen e Austrisë për marrjen nga ana e Shqipërisë e statusit të vendit kandidat.

“Ne mbështesim tërsisht dhe të jeni të bindur që Austria do të mbështesë marrjen e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Nëse i rikapitullojmë edhe një herë bisedimet dhe zhvillimet që janë kryer në dhjetor të vitit 2013 besoj se jemi në rrugë të mbarë. Shqipëria luan një rol stabiliteti në rajon dhe kjo është një gjë shumë e mirë, sepse mban një rol të moderuar në marrjen e vendimeve dhe në negociatat e ndryshme që bën. Të njëjtën gjë përpiqen të bëjnë edhe vendet e tjera të rajonit në këtë rrugë të integrimit”, deklaroi zoti Fischer.

Nga ana tjetër, duke theksuar se Shqipëria tashmë duhet të ketë si referencë standardet evropiane dhe jo më ato shqiptare, presidenti Nishani tha se marrja e statusit është objektivi kryesor jo vetëm i politikës, por i gjithë shoqërisë shqiptare.

“Për Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër veç integrimit në BE. Ai është një proces me shumë sfida, ku përgjegjësia kryesore është e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Por mbështetja në këtë proces është e pazëvendësueshme”, deklaroi Nishani.

Presidenti i Republikës dha edhe një përgjigje të shkurtër kur u pyet për vendimin e komisionit të ligjeve për të hedhur poshtë dekretin e tij për ILDKP-në.

“Ashtu si institucioni i presidentit, edhe Kuvendi dhe çdo institucion tjetër i vendit ka të drejtën të veprojë mbi bazën e tagrit të tij kushtetues. Qëndrimi i Kuvendit është i një institucioni sovran dhe çdo konflikt institucionesh do zgjidhet sipas parashikimeve të Kushtetutës për momente të tilla”, nënvizoi Nishani.

Top Channel