Ardhja në jetë e një fëmije sjell gëzim të pamatë. Por, në rastin kur ai vjen pas një fëmije tjetër a disa syresh, kjo shoqërohet me disa doza frikërash sesi do të pritet nga motra a vëllai më i madh. Shpesh, çiftet përfshihen në situata jo fort të dëshiruara.

“Fëmija i madh nis të sillet si më i vogël, sidomos kur është 3 vjeç. Duan të shtrihen në karrocë, duan të pinë me biberon… Ka raste kur bëhen edhe të dhunshëm duke dashur të lëndojnë beben”, thotë psikologia Enila Cenko.
 
Sipas saj, prindërit duhet të fillojnë ta përgatisin pasardhësin më të rritur kohë përpara se fëmija tjetër të vijë në jetë: “Është mirë që t’i tregohet se do të shtohet familja, që do të ketë një detyrë të rëndësishme në përkujdesjen dhe rritjen e vëllait ose motrës.”

Faza teorike përfundon. I vogli tashmë është shtuar midis tyre. Cfarë duhet bërë që ai të mos jetë objekt i fortë xhelozie për vëllain a motrën më të madhe: “Fëmija i madh duhet përfshirë në përkujdesjen e fëmijës së vogël me detyra të lehta pasi kështu ndihen të rëndësishëm.”

Por, në gjithë këtë përpjekje të madhe, nëna duhet të ketë rolin kryesor që fëmija i parë të mos ndihet jashtë vëmendjes: “Është e rëndësishme që nëna të shpenzojë kohë vetëm me fëmijën e madh. T’i lexojë një libër, të bëjë një shëtitje të shkurtër. Kështu i madhi nuk ndihet i lënë pas dore.”

Ndarja e dhomës, e sendeve që dikur kishin vetëm një zot, tashmë do të llogariten për dy. Ky është një tjetër motiv i fortë që nxit xhelozinë e fëmijëve: “Duhen marrë masa që disa sende të jenë vetëm të fëmijës së rritur.”

Edhe nëse fëmija më i rritur nuk manifeston shenja xhelozie për pasardhësin më të ri të familjes, gjithçka duhet pasur në konsideratë. Mbretëria e dashurisë dhe të mirave materiale duhet të përpjestohet në mënyrë të drejtë për dy.

Fëmijë me diferencë

Erisi është në prag të vitit të 14 të jetës së saj. Është vajzë e vetme, por jo edhe për shumë kohë. Për 4 muaj ajo do të bëhet me një vëlla.

Edhe pse deri tani vëmendja e familjes ka qenë vetëm ajo, Erisi po e përjeton me shumë gëzim ardhjen në jetë të një fëmije tjetër: “Po e përjetoj si diçka shumë të bukur. Do vijë një lumturi në jetën tonë. Jam shumë e gëzuar kur mendoj se do vesh vëllain dhe do e përkëdhel. Do e dua shumë.”

Në fakt, preferenca ishte për një motër, kërkesë e hershme e Erisit kjo, të cilën prindërit hezituan 13 vite për ta përmbushur.  

“I kërkoja mamit gjithmonë një motër që ta vishja, ta krihja, ta kisha si një lodër. Gjithsesi, edhe vëllain do e kem si lodër”, thotë Erisi.

Në fakt, fëmija i dytë në familjen Dibra erdhi më shumë si një përmbushje e vullnetit të Zotit, pasi Eva prej kohësh kishte hequr dorë nga ideja e një fëmije tjetër.

“Erdhi si një dhuratë nga Zoti sepse isha bërë egoiste, mendoja për punën dhe nuk kisha kohë. Nuk është se nuk e mendoja, por ritmi i jetës nuk ndalej. Zoti e ndali kohën dhe më bëri këtë dhuratë”, tregon Eva.

Eva sot është 37 vjeç. Edhe pse përsërit mëmësinë me një diferencë të madhe në kohë, hezitimet dhe pasiguritë ja mbyt gëzimi për një të vogël tjetër: “Është për t’u habitur, por e mora shumë mirë faktin që po pres një fëmijë. Kanë kaluar 13 vite, por mendoj se do ia dal shumë mirë.”

Dhe në këtë histori ka një avantazh të madh për mamin.

“Do ta rris unë vëllain, do flejë me mua dhe do e mbaj si princ të vogël sepse mami nuk do të ketë shumë kohë”, thotë Erisi.

Kështu që hendeku i madh i viteve mes Erisit dhe vëllait të saj nuk është një problem për askënd, as për atë vetë që me shumë dëshire po pret që t’i mësojë të hedhë hapat e para.

Shqiptarët, 57% lindje më pak se 20 vjet më parë

Struktra e familjes shqiptare nuk është më ajo e dikurshmja, me shumë fëmijë. Cdo ditë e më shumë prezantohemi me vajza e gra që kanë në qendër të vëmendjes veten dhe karrierën e tyre, kjo ndonjëherë në raport disbalancues me familjen dhe dëshirën për të pasur shumë fëmijë.

Tashmë është e provuar edhe statistikisht se ka një rënie të vazhdueshme të numrit të lindjeve. Nga 82 mijë lindje të raportuara në vitin 1990, INSTAT vë në pah se në fund të vitit 2012 numri i tyre arriti në rreth 35 mijë duke shënuar një rënie të lindshmërisë prej 57%.

Por, po t’u referohemi më tutje të dhënave që nga viti 1960, indeksi sintetik i fekonditetit ka pësuar rënie të vazhdueshme. Në vitin 1960 ai ishte mjaft i lartë, më shumë se 5 fëmijë për një femër të grupmoshës riprodhuese.

Të dhënat e përditësuara nga Instituti i Statistikave në vitin 2012 tregojnë se ky indeks është ulur në 1,78 fëmijë për një femër në moshë riprodhuese.

Pas vitit 2008 ky indeks arriti vlerën më të ulët me 1,6 fëmijë për një grua. Ky tregues është domethënës për sjelljen riprodhuese të popullsisë, e cila po preferon të ketë gjithnjë e më pak fëmijë. Shpesh, çiftet kufizohen me vendimin për të pasur vetëm dy fëmijë, por në shumë raste të tjera po ndeshemi me bërthamë familjare 3-anëtarëshe. Pra, me vetëm një fëmijë.

Top Channel