Emri i “Agimit të Artë” nuk ka qenë i panjohur në Greqi, por filloi të dëgjohej shumë shpesh vitet e fundit, pas disa sulmeve të dhunshme të përsëritura ndaj emigrantëve në rrugët e Athinës.

Me retorikën e tyre ndaj emigracionit ilegal, vrerit ndaj sistemit politik që përfitonte në kurriz të popullit, nacionalizmin e tejskajshëm dhe urrejtjen ndaj kreditorëve europianë, që po e kthejnë Greqinë në një pronë të tyre, ata u shndërruan në një forcë të konsiderueshme politike, që jo vetëm fitoi 18 vende në Parlamentin grek dy vjet me parë, por tashmë parashikohet të zgjedhë të paktën dy eurodeputetë në Parlamentin Europian, në zgjedhjet e datës 25 Maj.

“Në zgjedhjet lokale dhe ato europiane, ashtu siç parashikojnë të gjithë, do të pushtojmë gjithçka: bashkitë, qarqet dhe Parlamentin Europian. Për herë të parë pas disa dekadash PE do të ketë interes, sepse do të ketë atje parti nacionaliste nga e gjithë Europa, për të ndaluar veprimet e pakontrolluara të atyre ‘jakëkollarisurve dhe bankierëve’”, tha Ilias Panajotaros, deputet i “Agimit të Artë”.

Me parrullën “Populli, Ushtria dhe Nacionalizmi”, përkrahësit e kësaj force përshëndesnin disa ditë më parë kandidatin për guvernator të qarkut të Atikës, Ilias Panajotaros, pas fjalimit të tij në mitingun elektoral. Një prej drejtuesve të AA, që disa muaj më parë u akuzua dhe u lirua, për t’u hetuar më pas, mbi akuzat për krijim dhe bashkëpunim në një organizatë kriminale.

Bashkë me të, numri dy i kësaj partie, Ilias Kasidhiaris, personi që në një studio televizive dhunoi dy gra politikane kundërshtare, dy vjet më parë, i akuzuar edhe për sulme të dhunshme ndaj emigrantëve, por që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale përqendroi 16,1% të votave për Bashkinë e kryeqytetit grek. Paradoksi më i madh është fakti, që në Thesali të Greqisë Qendrore 6,9% e votuesve votuan kandidatin e AA, i cili është në burg.

Megjithëse lideri i kësaj force politike, dhe pothuajse gjysma e deputetëve janë burgosur në pritje të gjyqit, mbi akuzat për veprimtari kriminale, AA në rang vendi përqendroi 8,1% të votave në zgjedhjet lokale, duke rritur fuqinë e tij.

“AA nuk është i ngjashëm me partitë e tjera në Europë, është një parti dukshëm neonaziste. Partitë e tjera të ekstremit të djathtë në Europë kane një retorike të tyre të shovinizmit dhe racizmit, shumë më poshtë nivelit të retorikave politike të Agimit të Artë. Për më tepër, një tjetër karakteristikë dalluese e AA, nga partitë e tjera të ekstremit të djathtë, është përdorimi i dhunës”, tha Dimitris Sotiropoulos, profesor i Shkencave Politike.

Në zgjedhjet parlamentare të 2012-s, votat e 7% të grekëve për ekstremistët e djathtë u interpretuan si vota proteste ndaj politikave të ashpra të qeverisë, por hyrja e tyre edhe në këshillat e 12 prej 13 qarqeve të Greqisë, pas zgjedhjeve lokale, ka një domethënie të madhe për të ardhmen e vendit.

Sipas analistëve, rrënjët e ekstremistëve të djathtë janë krijuar që pas luftës civile në Greqi, zhvillimeve me juntën ushtarake dhe, më pas, krijimin e grupeve terroriste të majta, ndërsa për rritjen e fuqisë së AA, së fundmi, luajtën rol politikat e dobta të konservatorëve dhe socialistëve, që qeverisin, gjendja ekonomike dhe mediat e vendit.

Gjithashtu fajësohet edhe shoqëria greke, e cila duke treguar tolerancë dhe indiferencë ndaj tyre, tregon se ka pasur një territor pjellor për lulëzimin e fenomenit të neonazismit, që tashmë ka hedhur rrënjë në kyçet më të rëndësishme të saj, deri në udhëheqjen politike të vendit, dhe kërcënon se mund të përhapet rrezikshëm edhe në Europë.

Top Channel