eBay kërkon ndryshim të fjalëkalimeve

21/05/2014 00:00

Përdoruesve të eBay-t u është kërkuar të ndryshojnë fjalëkalimet, pasi sistemi i tij është kompromentuar prej një sulmi kibernetik.

Kompania amerikane pohoi se baza e saj e të dhënave është mësyrë nga hakerat në fillim të marsit edhe pse shton se nuk ka prova për ndonjë aktivitet të paautorizuar në llogaritë e pjesëtarëve të vet.

Për çdo rast, ndryshimi i fjalëkalimeve konsiderohet si “praktika më e mirë për t’u ndjekur në këtë rast” sepse do të ndihmojë të shtohet siguria e përdoruesve të faqes së famshme të shit-blerjeve online.

Firma me qendër në Kaliforni ka 128 milionë përdorues aktivë dhe në 2013-ën, shërbimet e saj në vlerë tregu llogariteshin diku te 212 miliardë dollarët.

Nga sa pretendojnë drejtuesit e eBay-t, hakerat arritën të marrin vetëm të dhënat e një numri të vogël punonjësish, çka i lejoi infiltrimin në rrjetin e korporatës.

Ata po bëjnë çdo përpjekje për t’i lajmëruar të gjithë përdoruesit të ndërrojnë fjalëkalimet, duke përdorur si postën elektronike, ashtu edhe njoftimet në faqen e internetit apo median sociale. Edhe pse firma zotëron gjithashtu shërbimin e transferimit të parave PayPal, sektori i tij i të dhënave është krejtësisht i shkëputur, i koduar e nuk ka pasur asnjë shenjë ndërhyrjeje.

Ekspertët këshillojnë që për fjalëkalimet e reja të mos zgjidhen fjalë të cilat lidhen me përdoruesin e faqes, sepse hakerat mund të gjejnë të dhëna për personin nepërmjet mediave sociale; po kështu të shmangen fjalët që nuk gjenden në fjalorë sepse edhe ato mund të zbulohen, por të preferohet ndonjë përzierje e pazakontë shkronjash e numrash, ndërsa nuk këshillohet vendosja e të njëjti fjalëkalim për faqe dhe sisteme të ndryshme në internet.

Top Channel