Arsimi profesional, përse duhet zgjedhur?

21/05/2014 00:00

Arsimi profesional duhet të reagojë ndaj zhvillimeve ekonomike dhe kërkesave të tregut të punës, duke u përshtatur me ndryshimet e reja që ndodhin në vend dhe më gjerë.

Arsimi profesional vijon pas arsimit bazë 9-vjeçar dhe synon përgatitjen e nxënësve për përvetësimin e njohurive dhe aftësive profesionale praktike. Në këto shkolla përgatiten specialistë të aftë për punë, por edhe nxënës që mund të vazhdojnë universitetin.

Në sistemin e arsimit profesional aktualisht janë 58 shkolla publike, që ofrojnë 110 profile mësimore. Të ndara sipas programit, janë 43 shkolla teknike, 13 social-kulturore dhe 2 sportive. Gjithsej 21,351 nxënës. 75 përqind e tyre ndjekin shkollën me kohë të plotë dhe vetëm 25 përqind me kohë të pjesshme.

Në arsimin profesional ofrohen shkollime profesionale afatgjata, 2, 3 dhe 4-vjeçare.

Krahas shkollave profesionale janë edhe Qendrat e formimit Profesional. Kurse publike ose jo-publike, institucione që ofrojnë trajnime deri në 2 vjet, në profile profesionale të kërkuara nga tregu. Vetëm në vitin 2013 janë trajnuar 7,799 kursantë, nga të cilët 61 përqind meshkuj dhe 39 përqind femra.

Shpërndarja e këtyre shkollave është kryesisht në qytetet e mëdha në të gjithë vendin.

Specialistët e arsimit profesional synojnë të përçojnë konceptin e të nxënit gjatë gjithë jetës, duke krijuar mundësinë e trajnimit ose ritrajnimit, që individët të fitojnë njohuri të reja në mënyrë të vazhdueshme.

 

Arsimi profesional në botë!

Gjermani, Kanada, Australi: 98% e nxënësve e kanë të garantuar punën

98% e nxënësve, që përfundojnë arsimin profesional në Gjermani, Kanada apo Australi, punësohen menjëherë! Këto janë vetëm 3 nga vendet, që kanë një sistem të suksesshëm me programe në lëvizje të vazhdueshme.

Në mënyrë fleksibël hapen degë të reja studimi, për të cilat tregu i punës ka nevojë.

Ajo çka gjermanët i referohen si edukim profesional, janë programe studimore në nivel universitetesh, të krijuara për të përgatitur studentët, që të punojnë në fusha speciifike. Modeli gjerman i shkollave profesionale mbart këto koncepte bazë: orientimin praktik, vetë-disiplinimin për punën, si dhe pavarësinë.

Arsimi profesional në Australi ofron programe studimi gjithëpërfshirëse. Gjithmone e më shumë, në këtë vend po rritet numri i të rinjve, të cilët zgjedhin arsimin profesional për të vijuar në arsimin e lartë. Janë 35,8% e nxënësve, të cilët marrin një profesion dhe pastaj vijojnë “Bachelor” e “Master” në sektorin universitar.

Ka disa arsye, për të cilat arsimi profesional është gjithmonë e më i preferuar. Programet janë më të lira dhe të përgatisin shumë shpejt për tregun e punës. Programi arsimor profesional të nxjerr të përgatitur për tregun e punës, në moshën 20-vjeçare. Shkollat shtetërore janë më të preferuara dhe financohen nga Ministria, si dhe janë më të lira.

Ndër profesionet më të preferuara janë fushat e Inxhinierisë, Arteve, Menaxhimit, Komunitetit dhe Shkencave Sociale, Agrikulturë, Teknologji Informacioni, Hoteleri-Turizëm.

 

Top Channel