Enxhi Dushku: Shkolla profesionale, përparësi në tregun e punës!

21/05/2014 00:00

Enxhi Dushku është në vit të tretë në shkollën profesionale “Hoteleri-Turizëm”, dega Recepsion. Vendosi të merrte mësime në këtë shkollë në përfundim të klasës së 9-të. E nisi me dëshirën për t’iu përkushtuar kuzhinës, por kur mësoi për këtë profil të ri nuk hezitoi të regjistrohej.

Tashmë është e sigurt se ka bërë zgjedhjen e duhur. Çdo ditë e më shumë e gjen veten, në atë që do të jetë profesioni i saj në të ardhmen.

“Më pëlqen të komunikoj me njerëzit, të jem e lirshme, sa më e buzëqeshur, e këndshme, pasi recepsioni është imazhi i parë për klientin, pritja dhe përcjellja e klientit”.

Këtë, Enxhi e thotë jo vetëm nga praktika mësimore, por edhe eksperienca në punë. Prej 2 muajsh, ajo punon në një restorant dhe shoqëron për te tavolina e prenotuar, njerëzit që preferojnë të frekuentojnë këtë ambient. Për shumë prej nesh, kjo mund të duket një punë, që mund ta bëjë gjithkush, por në të vërtet nuk është kështu.

“Më ka avantazhuar shkolla Hoteleri-Turizëm dhe profili recepsion, sepse që të punosh hostess apo recepsioniste duhet të kesh studiuar për këtë shkollë”.

Është gjithmonë e buzëqeshur, optimiste, e përkushtuar dhe me ambicie për të ardhmen.

“Në të ardhmen dua të jem menaxhere restorani ose hoteli”.

Gjatë këtyre 3 viteve, Enxhi ka mësuar shumë.

“E para, kam mësuar të gatuaj, se na gatuajnë mamatë në shtëpi. Gjëja tjetër që kam mësuar është komunikimi. Jam më e lirshme dhe shumë më e qeshur me të gjithë njerëzit. Miqtë dhe familjarët e mi, të gjithë e vlerësojnë si e bëj një shtrim tavoline, por edhe si kombinoj ushqimin me pijen, dhe këtë gjë e kam marrë nga kjo shkollë”.

Recepsioni është një degë e hapur 3 vjet më parë, që tashmë ka përgatitur për tregun e punës 120 recepsionistë profesionistë.

Sipas Drejtorisë së shkollës “Hoteleri-Turizëm”, 90% e nxënësve pas vitit të parë gjejnë punë.

Top Channel