Protestat e dhunshme që përfshinë dy netët e fundit lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit kanë rritur ndjenjën e pasigurisë tek banorët shqiptarë.

Për shkak të trazirave, që u përcollën me djegien e pronave të shqiptarëve dhe thirrjet për vrasjen e tyre, disa familje përkohësisht janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe janë strehuar në lagjet fqinje.

“Familjen e kam tërhequr prej andej, momentalisht jemi strehuar në lagjen Nerez, që ndodhet afër Gjorçe Petrovit. Momentalisht nuk na mbron askush. Ne jemi vendi i parë ku maqedonasit e shprehin mllefin. Çfarëdo që ndodh mes shqiptarëve dhe maqedonasve, qoftë ndonjë vjedhje apo rast tjetër, pronat tona dëmtohen”, tregon një banor.

Të pasigurt ndihen edhe shqiptarët që jetojnë në Nerez, një lagje pranë vendit ku ndodhën trazirat. Banorët e kësaj lagjeje, që disa herë në të kaluarën janë sulmuar në shtëpitë e tyre nga huliganët maqedonas, thonë se në dy netët e kaluara nuk kanë bërë gjumë nga frika se mund të sulmohen përsëri.

“Ka dy netë që deri në ora 1 pas mesnate nuk flemë gjumë. Madje, të rinjtë deri në 5 të mëngjesit rrinë zgjuar sepse momentalisht nuk kemi kush të na mbrojë dhe kjo u dëshmua në sulmet e mëparshme dhe vetorganizohemi që të mbrohemi”, shprehet një banor i lagjes Nerez.

“Incidente me maqedonas të lagjes tonë deri tani nuk kemi pasur. Gjithmonë problemet na vijnë nga disa grupe të organizuara nga jashtë”, tregon një tjetër i së njëjtës zonë.

Atmosfera e tensionuar nga protestat e natës së kaluar në lagjen Gjorçe Petrov është ndjerë edhe në komunën fqinje të Sarajit, të banuar me shqiptarë, pasi protestuesit maqedonas tentuan pa sukses të çanin kordonin policor për tu nisur drejt saj. Megjithatë, të mërkurën kryetari i komunës së Sarajit, Bekim Murati tha se situata është në kontroll.

“Banorët e komunës së Sarajit nuk duhet të bëhen pre e provokimeve dhe dezinformatave të ndryshme, pasi të gjitha institucionet i kanë marrë hapat e nevojshëm që ata të ndihen të sigurt në vendet e tyre. Jemi duke punuar që të garantohet lëvizja e lirë dhe që pronat e tyre në asnjë mënyrë të mos cënohen”, deklaroi Murati.

Për dy netë me radhë, qindra protestues maqedonas shprehën revoltën e tyre, në mënyrë të dhunshme nëpër rrugët e lagjes Gjorçe Petrov të Shkupit, duke dëmtuar dhe djegur pronat e shqiptarëve. Shkak për këto protesta është bërë vrasja e një të riu maqedonas nga një bashkëmoshatar shqiptar pasditen e së hënës.

Shoqëria civile dhe analistët në Shkup bëjnë thirrje që kjo vrasje, që është kryer për motive të dobëta, të mos bëhet shkak për ndezjen e incidenteve ndëretnike. Aktualisht raportohet se vetëm në natën e dytë të protestave policia ka arrestuar rreth 40 persona.

Top Channel