Pas protestave të dhunshme, situata në lagjen Gjorçe Petrov ditën e enjte paraqitet e qetë, por edhe më tej e tensionuar.

Të vetmet gjurmë që kanë ngelur nga protestat janë grafitet anti-shqiptare.

Nëpër rrugët e kësaj lagjeje vërehet prezencë e shtuar e policisë, ndërsa tek banorët shqiptarë ende ekziston ndjenja e pasigurisë.

Ndërkohë, vetëm ndaj 5 protestuesve nga gjithsej 27 të ndaluar është shqiptuar masa e paraburgimit prej 7 ditëve. Ndaj grupit tjetër janë ngritur padi për kundërvajtje dhe janë shqiptuar gjoba në vlerë prej 700 eurove, për pjesëmarrje në turma dhe dhunë.

Bëhet e ditur se në protestat ku u demoluan pronat e shqiptarëve në lagjen “Gjorce Petrov” të Shkupit, ishin përfshirë edhe tifozët e disa skuadrave maqedonase, që urrejtjen e tyre ndaj shqiptarëve e shprehin vazhdimisht nëpër terrenet sportive.

Nga ana tjetër, organizata joqeveritare “Zgjate dorën” nga Tetova ka paralajmëruar se do të kërkojë nga qeveria zhdëmtimin e pronarëve shqiptarë, pronat e të cilëve u demoluan nga vandalët.

Sipas vlerësimeve të para të pronarëve, vlera e dëmeve arrin në rreth 3 milionë euro.

Tirana dënon dhunën në Maqedoni 

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar për ngjarjet e rënda të ditëve
të fundit në Shkup, ku banorët maqedonas, që janë shumicë, kanë dëmtuar
dhe i kanë vënë flakën pronave të shqiptarëve, të revoltuar nga vrasja e
një të riu maqedonas nga një bashkëmoshatar shqiptar.

Partitë politike në Shkup edhe pse me dy ditë vonesë më në fund kanë reaguar për ngjarjet e dhunshme duke apeluar për qetësi dhe maturi.

Shqetësime për trazirat dhe për incidentin tragjik ka shprehur edhe misioni i OSBE-së në Shkup.

Shkak për protestat e dhunshme u bë vrasja e një të riu maqedonas pasditën e së hënës që dyshohet të jetë kryer  nga një bashkëmoshatar shqiptar.

Nëpërmjet një komunikate zyrtare, Ministria e Jashtme dënon vrasjen e të riut maqedonas, por në të njëjtën kohë shpreh “keqardhje ndaj përpjekjeve për ta shndërruar këtë akt kriminal në një konflikt etnik”.

“Këtë krim po përpiqen ta shndërrojnë në një sulm me bazë urrejtjeje
ndaj bashkësisë shqiptare. Ngjarje të tilla provokuese për marrëdhëniet
ndëretnike duhet të marrin përgjigjen e merituar. Inkurajojmë hetimin
dhe vënien përpara drejtësisë të autorëve të vandalizmave”, lexohet në
komunikatën e Ministrisë së Jashtme.

Top Channel