Anna Maria Capparelli, një arbëreshë vullnetare në Shqipëri

22/05/2014 00:00

Prej 6 muajsh, në Qendrën e të Rinjve me Aftësi Ndryshe, “Ndihmoni jetën”, një arbëreshë ka ardhur të punojë vullnetarisht.

Ajo quhet Anna Maria Caparelli dhe, kur e njeh, është shumë e lehtë ta besosh që, brenda kaq pak kohësh, është bërë kaq e dashur për fëmijët e të rinjtë e Qendrës, dhe për stafin e organizatës së njohur.

“Që në fillesat e punës së saj u përshtat shumë shpejt, me punën, me natyrën, e papërtueshme gjithmonë. Kjo na bëri ta donim dhe ta ndihmonim më shumë Anën”, tha një prej anëtareve të stafit.

30-vjeçarja nga fshati 500-vjeçar arbëresh, Firmosa, në Kalabri, zgjodhi me qëllim Shqipërinë, ndërsa u bë pjesë e një projekti të Bashkimit Europian për të bërë vullnetaren në një vend të huaj. Por, jo krejtësisht të huaj për të.

Shqipëria mbetet, për Anën, vendi i saj i orgjinës dhe me të nuk e lidhin vetëm rrëfimet familjare, por edhe gjuha. Në familjen e tyre flitet arbërisht, ashtu si në të gjithë fshatin.

Megjithëse shumë e ndryshme nga shqipja e sotme, e sigurt se kjo ka ndikuar që ajo të flasë shqip rrjedhshëm brenda pak kohe, duke e bërë akoma më të thjeshtë komunikimin me të rinjtë e Qendrës. Kolegëve, gjithashtu, iu ka bërë përshtypje çiltërsia e Anës, si dhe shpejtësia e përshtatjes së saj.

Edhe të rinjtë janë përshtatur shpejt me Anën, madje dhe ndonjëherë që mungon kërkojnë shpjegime.

“Të gjithë të rinjtë e qendrës kanë krijuar një lidhje shumë miqësore me Anën dhe, në momentin që ajo mungon në qendër në ditë të veçanta, mungesa e saj ndihet dhe mua më kërkojnë shpjegime për faktin se përse mungon. U them se do të rikthehet sërish në qendër, ndaj të mos merakosen”, tha një kolegu i Anës.

Tashmë vetëm pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i kësaj eksperience unike për të. Studentja e Juridikut kishte punuar më parë në Gazetari, organizata kulturore, e punë të ndryshme, por asnjëherë si vullnetare, e aq më tepër me të rinj me aftësi të kufizuara.

Kjo eksperiencë i ka dhënë asaj një tjetër dimension për jetën dhe njerëzve, me të cilët ka punuar, padyshim një kënaqësi që në mendjet e tyre do të mbetet gjatë.

“Ana është një person që i do njerëzit, e do profesionin dhe punën e saj dhe mund të them se do të na mungojë shumë”, u shpreh sërish anëtarja e stafit për Anën.

Top Channel