Indi, edhe picat shpërndahen me dronë

23/05/2014 00:00

Policia në qytetin indian të Mumbait ka nisur hetimet ndaj një restoranti, i cili ka nisur përdorimin e një droni (avioni të telekomanduar) për të shpërndarë pica te klientët e tyre, pa njoftuar më parë policinë.

Piceria e Franceskos, emri i restorantit, bëri të ditur se kishte arritur të përdorte me sukses një dronë të telekomanduar me 4 rrota, për të dërguar një porosi në një godinë shumëkatëshe rreth 1,5 km larg, raporton “Economic Times”.

Në një qytet, që është i famshëm për bllokimet e mëdha në trafik, restoranti bëri të ditur se shpërndarja me dronë mund të jetë një zgjidhje e mirë edhe sa i përket ndotjes së ambientit, por edhe që shkurton distancat kohore.

Një video e publikuar nga piceria tregon pamje nga një prej testimeve të fluturimeve.

Por, policia e qytetit ka nisur tashmë hetimet, pasi restoranti duhej të kërkonte fillimisht leje nga autoritetet e aviacionit civil. “Sa i përket normave, duhet marrë leje për të ngritur në fluturim një objekt të tillë”, tha një zyrtar i kontrollit të trafikut ajror.

Një shef i policisë lokale tha se tha për agjencinë e lajmeve PTI: “Jemi shumë të ndjeshëm në lidhje me mjetet që fluturojnë në hapësirat tona ajrore, sidomos për ato që telekomandohen”.

Forcat indiane të sigurisë janë nervozuar mbi mundësitë e sulmeve terroriste duke përdorur parashuta ose dronë, sipas burimeve të cituara nga “IBN Live”. Por, piceria në fjalë këmbëngul se ky eksperiment është i sigurt dhe pa rrezikshmëri.

Një burim tha për “Economic Times” se dronët nuk mund të shkojnë kurrë më larg se sa 130 metra lartësi, gjë që shmang interferimin me mjete të tjera të trafikut ajror, ndërkohë që avioni i telekomanduar nuk ka dalë asnjëherë jashtë kontrollit.

Vitin e kaluar, “Amazon” njoftoi se kishte nisur testimet me një dron për dërgesat e porosive të bëra online, por tha se do të duhen të paktën 5 vjet deri në fillimin e shërbimit.

Top Channel