Shqiptarët dhe maqedonasit nuk ndajnë qëndrime të njëjta rreth anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Sipas një hulumtimi, që ka bërë Instituti për Demokraci dhe Shoqëri Civile në Shkup, rreth 78% e qytetarëve maqedonas shprehen pro integrimit të vendit në BE, por vetëm nëse për këtë proces, nuk duhen bërë lëshime për çështjen e identitetit dhe emrit kushtetues të Maqedonisë.

Për dallim nga maqedonasit, 75% e qytetarëve shqiptarëve mbështesin pa kushte anëtarësimin e Maqedonisë dhe miratojnë lëshimet për emrin e shtetit, nëse një gjë e tillë është e nevojshme.

Përfaqësuesit e dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni kanë perceptime të ndryshme edhe rreth pengesave, me të cilat ballafaqohet vendi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

55% e maqedonasve theksojnë se integrimi po bllokohet nga vendet fqinje, si Greqia dhe Bullgaria, kurse 49% e qytetarëve shqiptarë fajin e shohin te mosrealizimi i reformave.

Çështja e pazgjidhur e emrit, përveç se po pengon përparimin e Maqedonisë në procesin e integrimit në BE, po ashtu po mban të bllokuar me vite edhe anëtarësimin e këtij vendi në NATO.

Këtë gjë e ka konfirmuar një ditë më parë, në Shkup, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i cili para zyrtarëve më të lartë të vendit tha se, për t’u anëtarësuar në Aleancën atlantiko-veriore, Maqedonia së pari duhet të tejkalojë problemin bilateral me Greqinë, rreth emrit kushtetues.

Top Channel