Disa orë para zgjedhjeve të 25 majit për Parlamentin Evropian dhe raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Greqi, kreu i Entit të Sigurimeve Agrare ka deklaruar se prej 1 qershorit do të fillojnë të rimarrin pensionet e tyre minoritarët e moshuar nga Shqipëria, pensionet e të cilëve ishin ndërprerë në shkurt të vitit 2013.

Deklarata e tij është bërë në një prej televizioneve private të vendit, ku ai ka theksuar se kjo iniciativë i takon vetë kryeministrit Samaras.

Sipas zotit Ksenofon Vergini, bëhet fjalë për pensionet e 22 mijë të moshuarve minoritarë nga Shqipëria dhe ish-Bashkimi Sovjetik, që ishin ndërprerë pas votimit të ligjit afatmesëm në Parlamentin grek për reformat ekonomike të vendit.

Ky ligj përfshinte edhe ndryshimin e kritereve, duke e bërë thuajse të pamundur përfitimin e një pensioni minimal pasi parashikonte 20 vjet qëndrim në Greqi dhe të mos merrje pension në shtet tjetër.

Ndërkohë, nënkryetari i Omonias së Greqisë, Jorgos Xhumakas ka deklaruar për Top Channel se përshëndet iniciativën e kryeministrit Samaras, por mban rezerva deri sa ky premtim të realizohet, pasi nga ana juridike duhet që ligjin ta miratojë Parlamenti dhe të paktën deri në 1 qershor nuk do të zhvillohet asnjë seancë parlamentare.

Në 14 muajt e fundit janë dhënë disa herë premtime dhe deklarata për ripërfitimin e pensioneve nga minoritarët, por ende asgjë nuk është bërë dhe brenda komunitetit ekziston dyshimi se me deklaratën e fundit para zgjedhjeve, Demokracia e Re synon votën e të paktën 70 mijë minoritarëve që kanë marrë nënshtetësinë dhe mund të votojnë në zgjedhjet për PE dhe ato lokale.

Gjithësesi, sipas burimeve nga Enti i Sigurimeve Agrare, prej javës tjetër pritet të publikohet një deklaratë për shtyp përsa i përket proçedurave që do të ndiqen dhe kritereve që duhet të plotësojnë të interesuarit.

Top Channel