Një tërmet i fuqishëm prej 6.3 ballë të shkallës Rihter, sipas Institutit Gjeodinamik të Athinës, është regjistruar në orën 12 e 25 të mesdites së të shtunës në zonën detare midis ishullit të Limnos dhe Samothrakës, në Egjeun Verior, 296 km në veri-lindje të Athinës.

Tërmeti është regjistruar në një thellësi prej 5 km, ka pasur kohëzgjatje të madhe dhe është ndjerë në qytetet e Greqisë veri-lindore Serres, Dramas, Ksanthi, Hikidhiki, Selanik e Athinë, përfshirë gjithë bregun turk deri në Stamboll.

Dhjetë minuta më vonë, në të njëjtën zonë është regjistruar një  tërmet i dytë prej 5.7 ballësh dhe një i tretë prej 4.7, ndërsa kanë pasuar lëkundje të tjera më të vogla sizmike.

Nga informacionet e para duket se ka vetëm dëme të vogla materiale në aeroportin e ishullit Limnos dhe në disa shtëpi të vjetra, ndërsa thuhet se është plagosur lehtë edhe një turiste.

Menjëherë është shpallur gjendje gadishmërie për trupat e zjarrfikësve dhe ekipet e tjera të emergjencës. Në gadishmëri për t’u ardhur në ndihmë banorëve të zonave të prekura në rast nevoje janë edhe trupat e ushtrisë, pas urdhërit të ministrit të Mbrojtjes.

Sipas specialistëve, tërmeti është shkaktuar nga lëvizja e pllakës tektonike të Lindjes, që ka shkaktuar edhe herë të tjera tërmete të fuqishme në Greqi dhe brigjet turke përgjatë detit Egje.

Top Channel