Fan Club, Mikela: Eksperienca më e veçantë e jetës

24/05/2014 00:00

Mikela është njëra nga dy banorët e fundit të larguar nga shtëpia e “Vëllait të Madh”, në këtë edicion të shtatë të tij, së bashku me Visarin, duke e ndërprerë vetëm 1 javë larg finales së madhe të këtij kompeticioni, ëndrrën për ta fituar këtë reality show.

E pyetur nga Albana Osmani për t’i dhënë një përcaktim, eksperiencës së kaluar gjatë kësaj kohe, si fantastike, si dicka që nuk do ta mbajë mend gjatë dhe do ta harrojë apo… Mikela është shprehur:

“Jam e bindur se kam kaluar një eksperiencë ndoshta më e vecanta e jetës sime, duke ditur se rrallë herë harroj gjëra të rëndësishme, mund të them se nuk kam për ta harruar kurrë këtë periudhë të kaluar në Big Brother. Megjithatë mund të them se aty brenda nuk kam bërtitur asnjëherë siç mund ta kisha bërë në jetën reale, jashtë shtëpisë. Sa i përket ecurisë, sigurisht që nuk mund ta mohoj që kam hyrë në këtë reality show me synimin për ta fituar, por kuptova se nëse nuk mund të jesh disi intrigante aty brenda, ndodh edhe të mos ia dalësh mbanë për të arritur objektivat”, u shpreh Mikela në studion e Fans Club.

Pas videos së parë me castet më të bukura të saj në shtëpi, Mikela shprehet se “kam hyrë në Big Brother për të qenë vetvetja, njëkohësisht për të pritur gjithcka dhe asgjë nga të gjithë ata që më rrethonin, apo me të cilët do të kaloja gjithë këto ditë. Unë nuk kam luajtur aspak me veten time në këtë lojë, kam krijuar grindje dhe afrimitete me banorët, por nuk kam dalë asnjëherë nga natyra ime. Mund të them se kjo eksperiencë më ka ndihmuar të njoh edhe më shumë veten time, por pa harruar shumë verifikime të asaj çfarë dija rreth vetes”.

Sa i përket Meridianit, Mikela duket disi e trishtuar për prishjen e relatave të krijuara thuajse gjatë gjithë kohës me të, por që – sipas Olti Currit – ndoshta erdhi në momentin e duhur të këtij reality show. Në studio është komentuar edhe pamja fizike e Mikelës, tepër elegante që nga dita e parë e hyrjes, e deri në momentin e daljes, për të cilat ka marrë edhe komplimentet e drejtueses së emisionit, Albana Osmani, por edhe duartrokitjet e publikut në sallë.

Top Channel