Grekët u janë drejtuar përsëri kutive të votimeve prej orës shtatë të mëngjesit në zgjedhjet për PE-në dhe njëkohësisht në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale me bindjen se e ardhmja e Greqisë është në Europë, por edhe se duhet një ndryshim i politikave ekonomike për prosperitetin e vendit.

Është hera e tetë që zgjedhin europarlamentarët e tyre në këto 33 vjet që ata janë anëtarë të BE-së, por asnjëherë si sot papunësia nuk ka qenë kaq e madhe, taksat kaq të larta, pagat kaq të ulta, pasiguria për të ardhmen në maksimum.

Dimitris Sotiropoulos, profesor i shkencave politike, thotë: “Disa grekë fajësojnë BE-në për keqmenaxhim të krizës, ndërsa të tjerë besojnë se pa përfshirjen e BE-së, kriza do të kishte qenë edhe më thellë.”

Konservatorët dhe socialistët që udhëheqin duke treguar stabilitetin që kanë krijuar muajt e fundit dhe shenjat e para të daljes nga kriza, u kanë bërë thirrje zgjedhësve për një votë mbështetjeje për të vazhduar masat ekonomike, duke vënë para tyre dilemën: reforma apo destabilizim.

Antonis Samaras, kryeministri i Greqisë, deklaroi: “Është shansi i fundit dhe askush nuk do ta hedhë poshtë. Tek kjo pyetje ftohet qytetari grek të përgjigjet këtë të dielë. Përpara drejt zhvillimit apo pas tek kriza.”
Sondazhet e fundit tregojnë një avantazh të lehtë të radikalëve të majtë, lideri i të cilëve, njëkohësisht kandidat i së Majtës Europiane për president të Komisonit Europian, kërkon t’i japë fund politikave të ashpra financiare në kurriz të qytetarëve.

“Sa më e madhe, sa më e pastër, sa më e fuqishme të jetë fitorja e Syrizës këtë të dielë, aq më i sigurtë do të jetë fundi i ndihmave të kreditorëve të huaj, i vjedhjes, i shkatërrimit të atdheut tonë, fundi i nënshtrimit”, tha Aleksis Tsipras, lideri i Syrizës.

Në një klimë të polarizuar, partia e ekstremit të djathtë AA, e treta në sondazhe që ka 18 vende në parlamentin grek, pavarësisht nga fakti se gjashtë prej deputetëve të saj, duke përfshirë edhe liderin, janë aktualisht në burg dhe përballen me akuzat për veprimtari kriminale, pretendon të çojë të paktën dy deputetë në PE.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve vlerësohet se do jetë një mesazh i rëndësishëm që grekët duan t’i çojnë qeverisë së tyre, por edhe liderëve të BE-së.
 

Top Channel