Partia opozitare Syriza në Greqi ka shënuar një fitore historike në zgjedhjet për PE, pasi për herë të parë në historinë e vendit fiton në zgjedhje një parti e spektrit të majtë.

Me rreth 26.5% të votave, pothuajse i njëjti nivel me zgjedhjet e vitit 2012, radikalët e majtë dërgojnë 6 deputetë në PE. Konservatorët e “Demokracisë së Re” në pushtet humbin më shumë se 6% të votave, të dy viteve më parë, por mbeten në vendin e dytë me rreth 22.7% dhe zgjedhin 5 eurodeputetë.

Shokuese janë 9.4% të votave të mbi 520,000 grekëve, që mbështetën neonazistët e Agimit të Artë, që konsolidohen si forca e tretë politike dhe dërgojnë 3 përfaqësues në PE.

Me gati 8%, socialistët e PASOK-ut, nën koalicionin e ri “Ulliri”, mbeten në lojën politike të vendit, duke zgjedhur dy eurodeputetë. Po kaq zgjedhin partia e re “Lumi”, Partia Komuniste e Greqisë dhe me 1 eurodeputet partia “Grekët e Pavarur”.

Lideri i radikalëve të majtë, Aleksis Tsipras, ka deklaruar se pas këtij rezultati, me të cilin grekët kërkojnë ndryshimin e politikave kryesisht të diktuara nga Brukseli e Berlini, qeveria nuk ka të drejtën morale të vazhdojë funksionin e saj, por duhet të japë dorëheqjen.

Nga ana tjetër, kryeministrit Samaras, që pritet të riformatojë qeverinë, deklaroi se mesazhi i votës ishte i qartë për kabinetin që drejton, por nga ana tjetër, ai ka treguar se grekët dëshirojnë stabilitetin dhe jo zgjedhjet e parakohshme.

Sipas analistëve, vërtet opozita kryeson ndaj konservatorëve me diferencë rreth 3.7%, por ajo nuk përqendroi më shumë vota se totali i dy partive që ndodhen në koalicionin qeveritar, Demokracia e Re dhe PASOK-u.

Për sa i përket raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, radikalët e majtë fituan për herë të parë qarkun e Atikës, ku votojnë 30% e grekëve, por konservatorët kanë fituar 7 nga 13 qarqet e vendit.

Në Selanik, i pambështetur nga asnjë parti politike, ka rifituar një mandat të dytë për Bashkinë z. Janis Butaris, i mirënjohur për ndihmën që i ka dhënë komunitetit shqiptar në këtë qytet.

Top Channel