Reshjet e rrëmbyeshme të shiut dhe breshrit, që kanë goditur Shkupin mbrëmjen e së dielës, kanë shkaktuar përmbytjen e disa rrugëve në kryeqytet dhe kanë sjellë dëme të shumta materiale.

Reshjet intensive për rreth 30 minuta kanë mbuluar me ujë sheshin dhe disa nga rrugët kryesore të qytetit, ndërsa dëme kanë pësuar edhe shumë makina.

Përveç komunikacionit të vështirësuar dhe problemeve me kanalizimin, nga lagështia dhe era e fuqishme në disa lagje është dëmtuar rrjeti i energjisë elektrike, ndërsa raportohet edhe për rrëshqitje të dheut.

Enti Hidro-Meteorologjik njoftoi se kanë rënë 37 litra shi në 1 metër katror. Panikun te qytetarët e ka shtuar edhe më tepër një termet prej 3,7 ballësh, që goditi Shkupin menjëherë pas ndërprerjes së reshjeve, rreth orës 23.

Epiqendra e këtij tërmeti ka qenë rreth 18 km në veri-perëndim të Shkupit, në afërsi të kufirit mes Maqedonisë dhe Kosovës. Nga gjithë kjo situatë raportohet vetëm për dëme materiale.

Mëngjesin e së hënës situata është stabilizuar, rrugët janë pastruar dhe komunikacioni po zhvillohet në mënyrë të rregullt. Sipas Entit Hidro-Meteorologjik, reshje shiu priten edhe mbrëmjen e së hënës, megjithëse gjatë ditës është bërë e ditur se temperatura maksimale do të arrijë deri në 31 gradë celsius.

Top Channel