Statusi, Rama optimist në Holandë

26/05/2014 00:00

Në vizitën e parë të një kryeministri shqiptar në Hagë përgjatë kësaj dekade, Edi Rama shfrytëzoi ftesën e Institutit Shtetëror për Drejtësinë Globale për të takuar përfaqësues të qeverisë dhe Parlamentit holandez.

Për reformat e kryera me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për zhvillimet në Ballkan, Rama bisedoi me homologun Mark Rutte, partia e të cilit ka hezituar për dy herë radhazi për kandidaturën e Shqipërisë dhe që aktualisht pozicionohet e treta në vend pas zgjedhjeve evropiane.

Më gjerësisht këto tema u prekën edhe në takimin me ministrin e Jashtëm, Franz Timmermasn, ku zëvendësministrat dhe deputetët që shoqëronin kryeministrin Rama raportuan për luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës, korupsionit dhe për çështje të lidhura me reformën në drejtësi. Zyrtarët holandezë njohën konsolidimin e reformave të nisura fundvitin e kaluar dhe theksuan rëndësinë e vazhdimit të tyre.

Ndërsa nuk pati deklarata për shtyp, mësohet se përfaqësuesit e qeverisë holandeze janë shprehur më optimistë për raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë, por argumentuan se para mbledhjes së Këshillit në qershor, qëndrimin do ta përcaktojnë në vartësi të diskutimeve me Parlamentin.

Ky institucion ishte dhe ndalesa e radhës e delegacionit shqiptar, ku kryeministri Rama i kërkoi Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit holandez dhënien e statusit për Shqipërinë bazuar në raportin e Komisionit dhe në besueshmërinë e procesit të zgjerimit.

Rama: Presim atë që na takon

“Kemi shënuar progres. Besoj se asnjë vend nuk do bishtnojë”

Në një intervistë për Top Channel në Hagë, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria ka dëshmuar progres dhe se në qershor presim atë që na takon.

Sipas Ramës, progres-raporti do të jetë bazë e gjykimit të vendeve anëtare të BE-së, vendim që nuk duhet të ndikohet nga zhvillimet e brendshme të secilit vend. Me zotin Rama bisedoi gazetarja jonë, Arta Tozaj.

Arta Tozaj: Zoti Rama, cilat ishin rezultatet e takimeve tuaja?

Edi Rama: Morëm përgëzime dhe inkurajime për progresin real që kemi arritur që prej shtatorit e deri më sot.

Arta Tozaj: Tani që ekstremistët humbën në Holandë, por janë më të fortë në Britani e Francë, si do ndikojë kjo për statusin?

Edi Rama: Për këdo që njeh fare pak se si funksionon sot Europa është e qartë se çështja e statusit në dhjetor ishte e lidhur me gjykime të çështjeve të brendshme të vendeve anëtare. Por neve na takon të bëjmë detyrën tonë dhe raporti që do të dalë duhet të konfirmojë se nevoja e konsolidimit të mbarë është realitet.

Arta Tozaj: Gjatë takimeve në Hagë, a morët një premtim se Haga do ta vlerësojë pozitivisht raportin e KE?

Edi Rama: Kemi arsye të besojmë se qeveria holandeze, ashtu si dhe qeveritë e tjera të vendeve anëtare do t’i qëndrojnë asaj që thanë në dhjetor dhe do gjykojnë progres-raportin dhe jo atë që do të sjellë dita në debatin e tyre të brendshëm. Besoj po ashtu se fundi i zgjedhjeve evropiane është një moment i mirë, pasi tani dihet se Europa është më shumë taktike sesa strategjike dhe gjithnjë e më pak e interesuar për politikat e jashtme. Gjithësesi, ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe po e bëjmë atë. Kjo është gjëja më e rëndësishme sepse Evropa për ne shqiptarët duhet të jetë një rrugëtim në vetëvete.

Arta Tozaj: Si paraqitet situata në lidhje me trafiqet, krimin e organizuar dhe korrupsionin? A kemi nisur të bëjmë një track-record dhe sa i besueshëm është ai?

Edi Rama: Unë dhe ministrat e përfshirë në këtë proces jetojmë në një botë disi të çuditshme. Sepse ndërkohë që në Shqipëri dëgjojmë opozitën që bërtet për drogën, këdo që takojmë në Evropë jo vetëm që nuk dëgjojmë të fliasë për drogën, por marrim vlerësime e mbështetje për luftën ndaj krimit të organizuar që po bëjmë. Situata është ndryshe nga sa thotë opozita, pasi Evropa gjykon faktet dhe rezultatet. Dhe ne, këtë qershor Evropës po i fllasim me fakte dhe rezultate.

Arta Tozaj: Po negociatat kur do t’i nisni?

Edi Rama: Kjo është pjesa në vazhdim e një procesi që do të kërkojë kohën e vetë dhe statusi është konfirmimi i një aspirate të madhe dhe një mundësie të madhe që Shqipëria ka për t’u bërë vendi që shqiptarët e sotëm, por edhe ata të gjeneratave të tjera meritojnë.

Top Channel