Sozitë më të njohura në botë

26/05/2014 00:00

Sozitë janë njohur në të gjitha kohët. Politikanë, aktorë, këngëtarë, apo dhe ish-presidentë, të gjithë kanë sozitë e tyre. Lista e personave të ngjashëm në të gjithë botën është mjaft e gjerë.

Ndoshta, sozia më e njohur në histori është Jeannette Charles, e cila në vitet ’70 ka punuar si sozia e Mbretëreshës Elizabet në Britaninë e Madhe.

Një tjetër sozi e njohur është Steve Sires, i cili i ngjan Bill Gates, themeluesit të Microsoft-it. Sires u bë i njohur pas përpjekjes për të shitur “Microsoft”-in dhe më pas doli në disa publicitete të kompanisë. Ai ra në sy për herë të parë me pjesën teatrale “Nothing so strage”, në të cilën karakteri i Sires ligjëron një fjalim, ngre sytë dhe vritet.

Politikanët, aktorët dhe të ngjashmit e tyre ftohen bashkë në shfaqje të ndryshme.

Një aktor i rëndësishëm imitohet nga anglezi Nick Richmond, i cili ka ngjashmëri me Sir Sean Connery.

Brent Mendenhall është personi më i ngjashëm dhe imituesi më i famshëm për momentin; ai konsiderohet si sozia e ish-Presidentit të Amerikës, George W. Bush. Shfaqet në televizion, filma, takime koorporatash, si dhe mbledhje politike.

E përditshmja “Washington Times” shkruante se “Mendenhall njihet në të gjithë botën, si i pari dhe më i njohuri i sozive të Bushit”. Për të përmbushur talentet e natyrshme, Brent i ka shtuar eksperiencës së tij edhe diplomën në komedi dhe rrëfim.

Dhimitraqi, ushtaraku sozi e Fyrher-it
Quhet Dhimitraq Seliman, 56 vjeç, ushtarak aktiv në repartin e Këmbësorisë Zbuluese

Ai nuk mund të kalojë në rrugë pa u vënë re… Edhe pse ka lindur shumë vite pas Luftës së Dytë Botërore, ngjashmëria fizike me Hitlerin është e habitshme.

Dhimitraq Seliman mund të quhet sozia shqiptare e Hitlerit. 56-vjeçar, me profesion ushtarak, ka që nga viti 1990, që i mban mustaqet me modelin e Fyrherit, por paçka kësaj, nuk është ndjerë asnjëherë i paragjykuar nga njerëzit…

“Absolutisht nuk e mohoj dot fytyrën time, s’kam përse të ndihem keq. Ndihem keq kur dëgjoj bëmat e Hitlerit, por nuk jam i tillë vet. E kanë pranuar edhe familjarët e mi, bëjnë humor duke më thirrur o Hitler, ndoshta ngaqë e kam pak fytyrën të egër, e më thotë ti je Hitleri i shtëpisë… Por, në të kundërt, unë jam një njeri i artit, i kulturës”, shprehet Dhimitraq Seliman, sozi e Hitlerit.

Aktuakisht është ushtarak aktiv në repartin e Këmbësorisë Zbuluese, profesion që e dashuron. Pasionet e tij të tjera janë muzika, sporti, apo të kërcejë vallet e zonës së Ersekës, vendi ku ka lindur.

“Më përshëndesin njerëzit, sërish duke më thirrur o Hitler. Në të njëjtën kohë kam pasur raste në vitin 1994, që një inxhinier gjerman i OSBE-së, i cili rrinte në Korçë, më tha ‘mos të vjen rëndë, nëse të them që ju jeni sozia e Hitlerit?’. Ju përgjigja se nuk më vinte rëndë. Edhe pse ngjaja me Hitlerin si fytyrë, unë kurrë nuk isha me mendje dhe shpirt kriminel si Hitleri. Tani këto janë ‘pjella’ të natyrës”, theksoi Dhimitraq Seliman.

Dhimitraqi ka dy djem dhe është gjithashtu gjyshi i një djali të vogël. Kohën e lirë e kalon mes të afërmve dhe pasionit për leximin, apo rrjetit social, ku ky i fundit është shtuar së fundmi. Madje, jo pak herë e kanë quajtur Hitleri shqiptar.


Xhesika Polo: Jam Pink-u shqiptar

Quhet Xhesika Polo dhe është artiste si “rebelja” amerikane, por ndonjëherë mërzitet

Këngëtarja e mirënjohur Pink, sot është idhulli i shumë adoleshentëve në mbarë botën.

Stili i të kënduarit, muzika, “look”-u i saj ekstravagant, kanë bërë që “rebelja” amerikane të imitohet nga shumë vajza.

Nëse Pink ka një sozi në Shqipëri, Xhesika Polo është padyshim, ajo që i përafrohet më shumë. 17-vjeçarja nga Tirana mendon se ngjashmëria në stil ka ardhur krejt natyrshëm, që në moshën 13-vjeçare, kohë kur adoleshentja i binte kitares dhe këndonte këngët e saj.

Ata që e njohin, e identifikojnë si Pink. Është pa komplekse dhe kjo është një tjetër pikë e përbashkët me këngëtaren e njohur.

Njësoj si Pink, ajo është një artiste në hapat e parë të karrierës. Vajza ka eksperimentuar shumë me flokët, deri sa ka ardhur në pamjen aktuale, që nuk e ka ndryshuar që prej 5 vitesh.

Në jetën reale dhe atë virtuale, ka pasur shumë raste që e identifikojnë me Pink.

Kjo gjë i pëlqen, por shpesh edhe e bezdis. Mendon se, paçka ngjashmërisë, ajo është Xhesika, një vajzë çapkëne, e cila përpiqet të krijojë identitenin e saj, duke eksperimentuar në muzikën pop/rock dhe RnB.

Top Channel