Vaksinimi i qenve, rrezik nga tërbimi

27/05/2014 00:00

Mungesa e fondeve për vaksinimin e qenve po i kushton jetën mijëra fëmijëve çdo vit. Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve tha se ‘vrasësi i padukshëm’ mund të eliminohet për një të dhjetën e kostos së trajtimit të pacientëve.

Shifrat e fundit flasin për 55 mijë persona të cilët vdesin çdo vit si pasojë e sëmundjes së tërbimit. Rreth 40% e atyre që janë kafshuar janë fëmijë nën moshën 15 vjeç. Një nga sëmundjet më të vjetra në botë, tërbimi është një virus i cili transmetohet te njeriu përmes pështymës së një qeni të infektuar ose nga kafshimi i tij.

Virusi ndikon në sistemin nervor qendror, nëse nuk trajtohet para se të arrijë nervat, ai është i pashërueshëm.

Në vitin 1885, Louis Pasteur dhe Emile Roux zbuluan vaksinën, e cila ka shpëtuar miliona njerëz në shumë vende të botës, por kostoja e saj është relativisht e lartë dhe kjo ka ndikuar që në një pjesë të vendeve të Azisë sëmundja vazhdon.

Shpesh viktimat janë fëmijë, të cilët qëndrojnë afër kafshëve të infektuara pa vetëdije. Agjencitë shëndetësore shprehen të frikësuara se viktimat nga kjo sëmundje mund të jetë shumë më të larta se sa shifrat zyrtare.

Në kongresin vjetor të Organizatës Botërore të Shëndetit të Kafshëve në Paris, doktor Vallat ka ngritur shqetësimin e mungesës së investimeve për eliminimin e kësaj sëmundje.

“Edhe pse kemi bërë të ditur se kostoja e vaksinimit të qenve është 10% e kostos së trajtimit të personave të kafshuar nga qentë ende nuk kemi bindur autoritetet të ndërmarrin këto hapa. Nga kjo sëmundje humbin jetën mbi 70 mijë fëmijë çdo vit”, tha Vallat.

Top Channel