Universiteti Shtetëror i Tetovës, një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së vet edukativo-arsimore dhe shkencore, e zhvillon përmes avantazheve teknologjike.

Kështu u shpreh rektori i USHT-së, Vullnet Ahmeti, gjatë hapjes së konferencës ndërkombëtare “Inteligjenca kompjuterike, sistemet e komunikimit dhe rrjetet”, që po mbahet në hapësirat e këtij universiteti. Ai tha se prioritetet ndërkombëtare në këtë fushë janë bërë pjesë e punës dhe strategjisë edhe në USHT.

“Roli i teknologjive të reja të komunikimit është shumë i rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik të një vendi dhe përfitimet, përpos efekteve financiare, i kanë transformuar popujt në një shoqëri të mirë informuar për të gjitha zhvillimet  dhe ndryshime globale. Këto prioritete ndërkombëtare, tashmë janë bërë pjesë e strategjisë së punës në universitetin tonë dhe zënë vendin parësor në angazhimet tona të përbashkëta, për ngritjen e vazhdueshme të kërkimeve shkencore. Prandaj, mund të them lirisht se kontributi i këtij universiteti, tashmë është i padiskutueshëm dhe i vlerësuar nga opinioni i gjerë publik”, tha Vullnet Ahmeti, rektor i USHT-së.

Në konferencën ndërkombëtare në fushën e informatikës, që po mbahet në Tetovë, marrin pjesë studiues nga vende të ndryshme të botës dhe rajonit. Zv/ministri i Arsimit në Maqedoni, Safet Neziri, tha se, kjo konferencë dëshmon se Universiteti Shtetëror i Tetovës, gjithnjë e më shumë po pëson ngritje në rrafshin e studimit, hulumtimit dhe shkencës bashkëkohore.

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës e mbështet këtë organizim, dhe është e interesuar që në institucionet tona arsimore, vazhdimisht të ketë iniciativa të tilla shkencore dhe hulumtime, me një fjalë dije. Vetëm kështu mund të sigurojmë progres dhe jetë të pasur për qyetarët e vendit”, tha Safet Neziri, zv/ministër i Arsimit në Maqedoni.

Konferenca e gjashtë ndërkombëtare “Inteligjenca kompjuterike, sistemet e komunikimit dhe rrjetet”, është hapur për dy ditë. Studiuesit do të diskutojnë mbi përfshirjen e specialistëve në komunikimin masiv në internet, për të lehtësuar kërkimet shkencore, si dhe avancimin e bashkëpunimit institucional ndërkombëtar mes shteteve, popujve, institucioneve dhe organizatave të ndryshme.

Top Channel