Rikthim pas 25 vitesh në vendin e parë të punës

27/05/2014 00:00

“Në vitin 1985 u emërova mjek i përgjithshëm në Rubik. Në qershor të vitit 1990 u ktheva në Tiranë dhe që atëherë nuk kam ardhur më në këtë qytet.”

Arben Kërçiku është mjek anestezist-reanimator pranë spitalit “Nënë Tereza”, por disa vite të rinisë i kaloi në Mirditë. Prej kohësh dëshironte të kthehej ta vizitonte këtë vend, por për një arsye apo për një tjetër, nuk kishte mundur dot.  

Sapo zbret nga makina, e njohin menjëherë. Në pamje të parë duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar. Vitet nuk e kanë zbehur aspak kujtimin për doktor Benin.

“Doktor Beni ishte i gatshëm gjithmonë. Sa e sa herë e kemi lajmëruar natën dhe ai gjithmonë vinte. Ai ishte si i shtëpisë”, thotë një nga banorët.

Liza Perdoçi është 27 vjet mjeke dhe i ruan të freskëta kujtimet për kolegun e saj: “Ndihmonte për çdo gjë që na dilte sepse këtu ka qenë jo vetëm spital, por edhe maternitet.”

Aty pranë është edhe konvikti: “Ky ka qenë ambienti ku flinim.”

Rastësisht ai takon edhe shoferin e ambulancës i cili e ka përcjellë atë në ditën e largimit nga Rubiku: “E kam përcjellë me lot në sy pasi Beni ka kontribuar shumë. Kur i thonim sa mirë që ike, ai na kundërshtonte duke thënë që i pëlqenin njerëzit këtu.”

Shkonte në këmbë fshat më fshat dhe i duhej të kalonte nëpër shtigje dhish, që sot janë të kalueshme edhe për makinat.

“Ka qenë i papërtueshëm dhe i palodhur. Kishim 9 fëmijë dhe i kërkonim ndihmë doktorit shumë shpesh”, kujton Gjokë Pjetri.

Servete Domi, 23 vite larg vendlindjes

“Jam parukiere, jetoj në Tiranë, kam lindur në një fshat 20 minuta larg qytetit të Kukësit, kam 23 vite që nuk shkoj në vendlindje dhe nuk kam asnjë foto nga vendlindja ime.”

Servetja është 35 vjeç. Ajo mban mbiemrin e fshatit, Domi. Është larguar në nëntor të vitit 1991, kur atje banonin 104 familje. Sot, vogëlushja e dikurshme do të kthehet në vendlindje së bashku me nipin, për t’i treguar edhe atij këtë vend të bukur.

“Nuk kam ardhur pasi nuk më është dhënë mundësia kurrë. Doja të shikoja vetë kushtet në të cilat është rritur nëna ime”, thotë nipi i Servetes.

Laurenti dhe Veti prisnin me padurim të mbërrinin në fshat, donin të shëtisnin luginave të fshatit dhe të shihnin çdo pëllëmbë tokë. Tezja, për pak orë, merr rolin e cicerones.

Në fshat kanë mbetur vetëm 5 shtëpi dhe me sa duket është e vërtetë se fjala merr dhenë. Mes personave që afrohen për t’i përshëndetur është edhe një ish-shok klase i Servetes. Në këtë fshat kanë qenë të gjithë të një fisi, por dikush më i largët e dikush më i afërt.   

Duke shkuar për tek shtëpia e prindërve, rrugës takojnë Nasuf Domin. Edhe zotëria jeton në Tiranë, por rastësia e solli të takohen në vendin ku kanë lindur.

Top Channel