Uraganët ndryshojnë rrugëtim

28/05/2014 00:00

Ciklonet tropikale po shkojnë gjithnjë e më larg Ekuatorit, çka rrezikon në të ardhmen edhe rajonet bregdetare të paprekura deri më sot prej tyre.

Se çfarë mund të shkaktojë një stuhi, apo tajfun, e tregoi vitin e fundit “Haiyan”-i në Filipine. Më shumë se 6 000 vetë humbën jetën.

Në 2012-n, uragani “Sandy” në SHBA tregoi se, edhe një vend i pasur e i industrializuar mund të zihet në befasi nga dhuna e natyrës.

Sipas një studimi të ri të Agjencisë Amerikane për Motin dhe Oqeanografinë (NOAA), tani ka të ngjarë që me uragane potencialisht shkatërruese të përballen edhe rajone të tjera, veçanërisht në Oqeanin Paqësor dhe në jug të Oqeanit Indian, ndaj dhe ato duhet të përgatiten mirë për këtë situatë.

Studiuesit e grupit shkencor, të drejtuar nga meteorologu James Kossin, llogarisin se ciklonet tropikale, gjatë 30 viteve të fundit, kanë lëvizur, për çdo dekadë, me më shumë se 50 kilometra drejt poleve.

Në hemisferën veriore, ato kanë lëvizur mesatarisht rreth 53 kilometra drejt Polit të Veriut, e në hemisferën jugore, 62 km në drejtim të Polit të Jugut. Prirja është e dukshme.

Ciklonet tropikale krijohen normalisht, kur temperatura e detit shkon mes 28° dhe 30° Celcius. Meqë temperatura e detit në shumë zona, që deri tani kanë pasur temperatura normale, po rritet, edhe rreziku është më i madh.

Faktorë të tjerë, që luajnë rol, janë hollimi i shtresës së Ozonit dhe ndotja e mjedisit. Tajfuni “Haiyan” në Filipine u shkarkua në një zonë rreth 10° larg Ekuatorit. Sipas ekspertëve të NOAA, stuhitë që e arritën kulmin në gjerësinë gjeografike të Filipineve veriore, në të ardhmen mund ta arrijnë më afër Hong Kongut, Tajvanit, Shangait, Japonisë dhe Koresë së Jugut.

Top Channel