Londra është kryeqyteti europian me përdorimin më të madh të kokainës, e në këtë përfundim kërkuesit kanë dalë pas një serie testesh të kryera mbi ujrat e zeza.

Niveli i lëndës kryesore përbërëse të kësaj droge, benzoilekgonina, ishte tri herë më i lartë se në Paris.

Përmes analizave laboratorike të ujrave të zeza, në pjesë të ndryshme të kontinentit të vjetër, shkencëtarët janë përpjekur të dalin me një vlerësim mbi përdorimin e saj dhe, nga 42 qytete të kontrolluara, Londra rezultoi ajo më problematikja, duke lënë pas edhe kryeqytetin francez, apo dhe Amsterdamin.

Krahasuar me rezultatet e një studimi të ngjashëm, të kryer dy vjet më parë, prania e substancave narkotike në këto ujra është më shumë se e dyfishuar, thonë ekspertët e Qendrës së Monitorimit europian të Drogës dhe Varësisë ndaj saj.

Të dhënat e tyre tregojnë gjithashtu se, dy herë më shumë britanikë vdesin nga mbidoza, në karahasim me pjesën tjetër të Europës. Në lupën e studiuesve kanë përfunduar edhe preferencat e lëndëve narkotike.

Nga kërkimet e bëra është vënë re se në Europën Perëndimore preferohet më shumë kokainë, ekstazi dhe kanabis, ndërsa në Lindje ka një prirje gjithmonë e më të madhe drejt drogave sintetike.

Top Channel